Fluturimi Image

Fluturimi

Fluturimi

5 Ndodhi nga jeta e Krishtit

Gjoni 20:24-31

5 Ndodhi nga jeta e Krishtit

Ungjijtë

Në mësimin e parë, ne pamë 5 personazhe nga Dhiata e Vjetër. Të gjithë ata na drejtojnë te një person, Jezu Krishti. E gjithë historia e Biblës ka të bëjë me Të.

Historia e Jezusit tregohet tek Ungjijtë: Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Në këtë mësim të dytë, ne do të shohim pesë ndodhi nga jeta e Jezusit. Jezusi lindi, u tundua, u kryqëzua, u ringjall dhe u ngjit në qiell. Le të fillojmë me lindjen e Jezusit.

1. Jezusi lindi

Lindja e Jezusit ishte prova e parë që Ai është ndryshe nga çdo person tjetër që ka jetuar ndonjëherë.

Ja si ndodhi: Maria ishte një vajzë e re, e cila po përgatitej të martohej me një burrë të quajtur Jozef. Zoti i foli asaj nëpërmjet një engjëlli, i cili iu shfaq dhe i tha:

“Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t’ia vësh emrin Jezus.” (Luka 1:30-31)

Maria ishte virgjëreshë, prandaj pyeti: “Si do të ndodhë kjo?” (1:34). Përgjigjja e engjëllit na çon në zemrën e misterit më të mrekullueshëm në Bibël.

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë.” (Luka 1:35)

Ky varg na tregon tri gjëra që duhet t’i dimë për Jezusin: Jezusi është Perëndi, Jezusi është njeri dhe Jezusi është i shenjtë.

Jezusi është Perëndi

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë.” (Luka 1:35)

Fëmija i Marisë lindi si rezultat i iniciativës së drejtpërdrejtë të Perëndisë. Jozefi nuk dha asnjë kontribut.

Maria ishte e virgjër. Jeta në barkun e saj erdhi në ekzistencë nëpërmjet një mrekullie krijimi nga Perëndia. Ai nuk priti që nga raca njerëzore të dilte një çlirimtar. Ai erdhi te raca njerëzore. Perëndia u bë njeri, duke marrë një trup njerëzor nga Maria.

Jeta jote filloi në çastin e ngjizjes në barkun e nënës sate. Para atij çasti, ti nuk ekzistoje. Por me Jezusin, është ndryshe. Jeta e tij nuk filloi në barkun e Marisë. Përpara se të lindte në një stallë, Ai gëzonte jetën e Perëndisë në qiell (Gjoni 1:1).

Engjëlli i shpalli Marisë se fëmija i saj do të ishte “Biri i Më të Lartit” dhe “Biri i Perëndisë” (Luka 1:32, 35). Engjëlli iu shfaq në ëndërr edhe Jozefit, dhe i shpalli se fëmija do të quhej “Emanuel (që do të thotë ‘Perëndia me ne’)” (Mateu 1:23). Perëndia erdhi te ne, duke hyrë në botë si një foshnjë e lindur në një stallë dhe e vendosur në një grazhd.

Jezusi është njeri

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë.” (Luka 1:35)

Kurrë nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë se si mund të merrte Perëndia një trup njerëzor dhe të lindte si një foshnjë, por deklarata qendrore e Dhiatës së Re është që Ai e bëri këtë.

Kjo mrekulli është një mister i pazbulueshëm, por i jep kuptim gjithçkaje tjetër që Bibla na tregon për Jezusin. Gjithçka tjetër varet nga kjo mrekulli e vetme. Nëse Perëndia u bë njeri në Jezusin, atëherë deklaratat, mrekullitë dhe ringjallja e Tij nuk duhet të na befasojnë.

Jezusi është një me Perëndinë dhe një me ne, dhe kjo e kualifikoi Atë për të bërë atë që askush tjetër nuk mund ta bënte. Vetëm Perëndia mund të na pajtojë me Veten e Tij. Vetëm një njeri mund të përmbushë gjithçka që Perëndia kërkon nga ne.

Mishërimi është misteri që shpjegon çdo gjë tjetër.

“Ne besojmë se dielli është në qiell në mesditë gjatë verës, jo ngaqë mund ta shohim atë qartë… por ngaqë mund të shohim gjithçka tjetër.” C. S. Lewis.

Jezusi është i shenjtë 

“Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Biri i Perëndisë.” (Luka 1:35)

Jezusi është i shenjtë. Kjo do të thotë se Ai kurrë nuk bëri qoftë edhe një mëkat të vetëm. Jezusi ishte i shenjtë në mendimet e Tij, në synimet e Tij, në karakterin e Tij, në fjalët e Tij dhe në veprat e Tij. Këtë nuk mund ta themi dot për asnjë person tjetër që ka jetuar ndonjëherë.

Shenjtëria e Jezusit hap një botë krejtësisht të re shprese për ne. Ekziston një qenie njerëzore që është e shenjtë. Ekziston një person i cili është gjithçka që Perëndia na thërret të gjithëve të jemi. Ai është dhurata e Perëndisë për ne, dhe në Të ka shpresë për të gjithë ne.

  • Lindja
  • Tundimi (30 vjet)
  • Kryqëzimi (3 vjet)
  • Ringjallja (3 ditë)
  • Ngjitja (40 ditë)

Pas lindjes së Tij, Bibla na thotë se Jezusi po rritej “në urtësi, dhe në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve” (Luka 2:52).

Më pas, në moshën 30-vjeçare, Jezusi filloi shërbesën e Tij publike. Ai u pagëzua në lumin Jordan, duke u identifikuar plotësisht me burrat dhe gratë që kërkojnë të jetojnë për lavdinë e Perëndisë.

Fryma e Shenjtë zbriti mbi Jezusin dhe një zë i dëgjueshëm nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin gjeta pëlqim” (Mateu 3:17). Pastaj, i mbushur me Frymën e Shenjtë, Jezusi shkoi në shkretëtirë, ku u tundua.

2. Jezusi u tundua

Mateu shkruan se Jezusi u çua prej Frymës në shkretëtirë, që djalli ta tundonte (Mateu 4:1).

Jezusi erdhi në botë për të shkatërruar veprën e Satanit, dhe hapi i parë në shërbesën e Tij ishte që të përballej me armikun tonë dhe të triumfonte atje ku Adami kishte dështuar.

Strategjia # 1 – Krijo pështjellim

Në kopshtin e Edenit, strategjia e parë e Satanit ishte të krijonte pështjellim. Ai e pyeti Evën: “A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘…mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’” (Zanafilla 3:1).

Armiku provoi të njëjtën strategji edhe me Jezusin. ”Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë” (Mateu 4:3).

Armiku po përpiqej të krijonte pështjellim në mendjen e Jezusit rreth identitetit të Tij. Mirëpo, Jezusi nuk kishte nevojë të bënte një mrekulli për të ditur se Ai ishte, dhe është, Biri i Perëndisë.

Ai u përgjigj:

“Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë.’” (Mateu 4:4)

Strategjia #2 – Nxit supozim

Në kopshtin e Edenit, strategjia e dytë e Satanit ishte nxitja e supozimit. Ai u përpoq ta bindte Evën, se ajo mund të mos i bindej urdhrit të Perëndisë pa marrë pasoja. “Ju s’keni për të vdekur aspak” (Zanafilla 3:4).

Armiku u përpoq të nxiste supozimin te Jezusi. Ai e çoi në pikën më të lartë të tempullit dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty…’” (Mateu 4:6).

Engjëjt nuk do të të lënë të biesh. “Ata do të të mbajnë mbi duart e tyre.”

Mirëpo, Jezusi e dinte dallimin midis besimit dhe supozimit.

Jezusi i tha: “Është shkruar gjithashtu: ‘Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd.’” (Mateu 4:7)

Strategjia # 3 – Ngjall ambicie

Në kopshtin e Edenit, strategjia e tretë e Satanit u përqendrua tek ambicia. Kur e tundoi Evën të hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, ai tha: “Do të jeni si Perëndia…” (Zanafilla 3:5).

Përsëri, ai provoi të njëjtën strategji me Jezusin. Ai i tregoi Jezusit mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, dhe i tha: “Të gjitha këto do të t’i jap, nëse ti bie përmbys dhe më adhuron” (Mateu 4:9).

Atëherë Jezusi i tha:

“Shporru, Satan, sepse është shkruar: ‘Adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij.” (Mateu 4:10)

Ne të gjithë i njohim strategjitë e Satanit, për të krijuar pështjellim, për të nxitur supozim dhe ambicie. Ne i përjetojmë këto tundime në jetën tonë. Mirëpo, ti mund të pyesësh veten: Sa të vërteta ishin tundimet e Jezusit? A mund të tundohet vërtet një person që është i shenjtë?

Vetëm Jezusi e di fuqinë e plotë të tundimit, sepse vetëm Ai i ka rezistuar fuqisë së plotë të sulmit të armikut.

Përfytyroni tre pilotë të cilët gjatë luftës fluturojnë me avionë mbi territorin e armikut. Avioni rrëzohet, pilotët zihen rob dhe më pas merren në pyetje nga armiku. Ata dërgohen në një dhomë të errët njëri pas tjetrit.

Piloti i parë jep emrin, gradën dhe numrin e tij identifikues. Kapësit e tij e pyesin për pozicionet e forcave të tij. Ai e di se nuk duhet ta japë këtë informacion, por gjithashtu e di se armiku është mizor dhe se, në fund, ai do të dorëzohet para torturave të tyre. Ndaj, pse t’i kalojë të gjitha këto? Kështu që ai u thotë gjithë sa di.

Pastaj sjellin pilotin e dytë. Edhe ai u jep emrin e tij, gradën dhe numrin identifikues. Ata fillojnë t’i kërkojnë më shumë informacion. Ai është i vendosur të mos dorëzohet. Prandaj fillon tortura. Si përfundim, tortura është e padurueshme. Ai dorëzohet dhe u tregon atyre ato që di.

Piloti i tretë hyn brenda dhe u jep emrin, gradën dhe numrin e tij identifikues. “Nuk më thyeni dot”, u thotë ai. “Oh, po, do ta bëjmë! Ne kemi mposhtur çdo burrë që ka hyrë në këtë dhomë. Është thjesht çështje kohe; ke për ta parë.”

Nis tortura, por ai nuk dorëzohet. Prandaj, ajo bëhet edhe më e ashpër, mirëpo, ai nuk dorëzohet. Sërish, torturat ashpërsohen, derisa bëhen të padurueshme, por ai, prapëseprapë, nuk dorëzohet.

Më në fund vjen një pikë ku ata kanë provuar gjithçka që dinë. “Është e kotë”, thonë ata. “Ai nuk është njësoj si të tjerët që kemi pasur në këtë dhomë. Nuk e thyejmë dot.”

Cili prej këtyre pilotëve u përball me forcën e plotë të armikut? I vetmi që e di forcën e plotë të sulmit të armikut, është ai që nuk u dorëzua.

Prandaj, mos mendo kurrë se tundimet e Krishtit ishin më të lehta se të tuat! Vetëm Krishti e di fuqinë e plotë të tundimit, sepse vetëm Krishti i ka rezistuar forcës së plotë të sulmit të armikut.

  • Lindja
  • Tundimi (30 vjet)
  • Kryqëzimi (3 vjet)
  • Ringjallja (3 ditë)
  • Ngjitja (40 ditë)

Pasi u tundua, Jezusi u përfshi për tre vjet në shërbesë publike, në të cilën Ai dha mësim, kreu mrekulli dhe u bëri thirrje njerëzve që ta ndiqnin Atë.

Mesazhi i Tij ishte i qartë: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!” (Mateu 4:17). “Pendohuni dhe besoni në ungjillin” (Marku 1:15).

Turmat e ndoqën Jezusin, por, që nga fillimi, udhëheqësit politikë dhe ata fetarë e kundërshtuan Atë. Pas tre vjetësh, Ai u arrestua, u gjykua, u dënua dhe u kryqëzua.

3. Jezusi u kryqëzua

Jezusi u kryqëzua në orën 9 të mëngjesit dhe vdiq në orën 3 të pasdites. Ajo që ndodhi gjatë këtyre gjashtë orëve në kryq, na çon në thelbin e historisë së Biblës.

Jezusi çliroi faljen 

Rebelimi njerëzor kundër Perëndisë arriti tmerrin e tij të plotë dhe shprehjen e tij më të neveritshme në kryq. Ne i kishim shkelur urdhrat e Perëndisë. Tani, ne po kryqëzonim Birin e Perëndisë.

Nëse ka pasur ndonjëherë një moment në historinë njerëzore kur gjykimi i Perëndisë duhej të binte, ky ishte ai çast. Por Jezusi thirri:

“Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” (Luka 23:34)

Kur Jezusi tha: “Atë, fali ata”, Ai po i kërkonte Atit që ta devijonte dënimin për mëkatin tonë larg nesh dhe ta hidhte mbi Të.

Jezusi e dinte se gjykimi i Perëndisë do të vinte, por Ai po thoshte: “Mos e lër të bjerë mbi këta njerëz. Le të bjerë mbi Mua dhe vetëm mbi Mua. Më lër të jem unë rrufepritësi i gjykimit Tënd për mëkatin e tyre.” Ne pamë që Perëndia e kurseu Adamin kur mallkimi ra mbi tokën, dhe Perëndia na kurseu edhe ne pasi gjykimi për mëkatin tonë ra mbi Jezusin.

Kjo lutje e Jezusit mbulon mëkatin e çdo personi që do të vijë tek Ai. Dhe nëse lutja e Tij ishte e mjaftueshme për mëkatet e atyre që e gozhduan Atë në kryq, ajo mund të mbulojë çdo mëkat tëndin.

Jezusi hapi udhën për në qiell

Pak metra larg Jezusit ishte një burrë i cili tragjikisht e kishte çuar dëm jetën e tij. Ai ishte dhënë pas një jete krimi, dhe tani po paguante çmimin. Ai njihet si keqbërësi në kryq.

Ky burrë u kthye nga Jezusi dhe i tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde” (Luka 23:42). Ai e kishte dëgjuar lutjen e Jezusit: “O Atë, fali ata.” Ndoshta Jezusi mund ta falte edhe atë?

Dhe Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.” (Luka 23:43)

Parajsa! Jeta e këtij burri kishte qenë një seri zgjedhjesh shkatërrimtare, por Jezusi i premtoi atij një kalim të menjëhershëm, përmes vdekjes, në një jetë gëzimi të pastër.

Para se të mbaronte kjo ditë, Jezusi do ta çonte këtë burrë në praninë e Perëndisë. Papritur, ky burrë, i cili kishte qenë në prag të ferrit, zbuloi se, për shkak të Jezusit, do të hynte në gëzimin e parajsës!

Kur Jezusi vdiq, u hap rruga e kthimit në praninë dhe bekimin e Perëndisë, jo vetëm për keqbërësin, por për të gjithë ata që, si ai, do të besojnë në Jezusin.

Jezusi duroi ferrin 

 Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë. Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: “Eloi, Eloi; lama sabakthani?”, që e përkthyer do të thotë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Marku 15:33-34)

Kjo errësirë nuk ishte një eklips. Eklipset nuk zgjasin për tri orë. Perëndia e fiku dritën.

Bibla na tregon se çfarë ndodhi në atë errësirë të tmerrshme:

Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit… (1 e Pjetrit 2:24)

ZOTI bëri që të bjerë mbi të paudhësia e ne të gjithëve. (Isaia 53:6)

Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar. (Isaia 53:5)

Këto Shkrime, dhe shumë të tjera, tregojnë për këtë të vërtetë të mrekullueshme: që Perëndia i pajtoi mëkatarët me Veten, duke ardhur te ne dhe duke e mbajtur mëkatin tonë në Jezu Krishtin.

Mendo se çfarë kuptimi kishte kjo për Jezusin:

  • Ai u zhyt në errësirë të plotë.
  • Ai po përjetonte vuajtje të vetëdijshme.
  • Ai ishte i rrethuar nga fuqitë djallëzore.
  • Ai po mbante fajin e mëkatit.
  • Ai ishte nën gjykim.
  • Ai ishte ndarë nga ngushëllimi i dashurisë së Atit të Tij.

Jezusi duroi ferrin në kryq. Ferri është vuajtje e vetëdijshme në errësirë të plotë, i rrethuar nga fuqi djallëzore, duke mbajtur fajin e mëkatit, nën gjykimin e Perëndisë, i ndarë nga ngushëllimi i dashurisë së Tij. Jezusi e duroi ferrin në kryq, që ti të mos e përjetosh kurrë se si është.

Në kryq, Jezusi çliroi faljen, Ai hapi udhën për në qiell, Ai duroi ferrin dhe pastaj…

Jezusi vdiq duke triumfuar 

Pas 3 orësh, errësira kaloi. Gjykimi që u derdh mbi Jezusin, mbaroi dhe u shua. Drejtësia u përmbush dhe Jezusi thirri:

  “U krye!” (Gjoni 19:30)

Dhe Jezusi thirri me zë të lartë dhe tha: “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!”. Dhe, si tha këto, dha frymë. (Luka 23:46)

Kur dikush është duke vdekur, zëri i tij bëhet gjithnjë e më i dobët, derisa nuk mund të flasë fare. Askush nuk flet me zë të lartë në momentin e vdekjes. Mirëpo, Jezusi e bëri.

Jezusi nuk u vu poshtë nga vdekja. Ajo nuk e mundi Atë. Ai tha: “Askush nuk e merr [jetën time] nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri” (Gjoni 10:18). Jezusit nuk ia morën jetën. Ai e dha. Ai e dha Veten për ne.

Jezusi iu dha vdekjes duke triumfuar. Dhe Marku e regjistron këtë:

 Dhe kryeqindësi, që qëndronte përballë tij, kur pa se, pasi bërtiti ashtu, dha frymë, tha: “Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!” (Marku 15:39)

  • Lindja
  • Tundimi (30 vjet)
  • Kryqëzimi (3 vjet)
  • Ringjallja (3 ditë)
  • Ngjitja (40 ditë)

Pasi Jezusi vdiq, trupi i Tij u hoq nga kryqi dhe u vendos në një varr që i përkiste një njeriu të quajtur Jozef.

Pastaj, varri u mbyll me një gur të madh. Por ditën e tretë, varri ishte bosh. Jezusi, i cili ishte kryqëzuar, ishte ringjallur!

4. Jezusi u ringjall

Ungjijtë tregojnë se një grup grash shkuan në kopshtin ku ishte varrosur trupi i Jezusit.

Kur arritën, panë se guri përpara varrit ishte rrokullisur. Varri ishte i zbrazët dhe gratë nuk e kishin idenë se çfarë kishte ndodhur. Luka shkruan se varri bosh i la ato “të hutuara” (Luka 24:4).

Ateherë, nga e dinin ato se çfarë kishte ndodhur?

Perëndia ua tregoi atyre.

 Dhe ndodhi që, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, dy burra të veshur me rroba të ndritshme iu qëndruan pranë atyre… “Ç’e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Nuk është këtu, por është ringjallur.” (Luka 24:4, 5-6)

Perëndia thirri dy engjëj dhe u tha: “Shkoni dhe tregojuni atyre se çfarë kam bërë!”.

Besimi i krishterë mbështetet në të besuarit e shpjegimit të Perëndisë për atë që Ai ka bërë.

Për shembull, kur Maria mbeti shtatzënë, nuk kishte mundësi se si ta dinte se çfarë po i ndodhte. Prandaj, Perëndia dërgoi engjëllin për t’ia shpjeguar atë që do të ndodhte.

Ishte e njëjta gjë kur Jezusi u kryqëzua. Shumë njerëz e panë Atë të vdiste, por ata nuk e dinin se çfarë po bënte Perëndia në errësirë. Perëndia na thotë se, në kryq, Jezusi mbajti mëkatin tonë dhe e dha jetën e Tij si një flijim. Perëndia na thotë se Ai po e pajtonte botën me Veten nëpërmjet kryqit.

Besimi i krishterë nuk mbështetet mbi ndjenjat, impulset apo idetë personale. Besim do të thotë t’i zësh besë shpjegimit të Perëndisë për ato që ndodhën, shpjegim i cili na është dhënë në Shkrim.

“[Ai] … është ringjallur!” (Luka 24:6)

Çfarë do të thotë ringjallja e Jezusit për ne sot?

I ringjallur do të thotë që Jezusi është gjallë 

Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon kaq lehtë, le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë. (Hebrenjve 12:1-2)

Bibla nuk na prezanton një fe të vdekur, por një Shpëtimtar të gjallë. Tani, Jezusi është i ulur në të djathtë të fronit të Perëndisë.

Në thelb, historia e Biblës nuk është një grup besimesh për t’u debatuar ose një mënyrë jetese që duhet marrë parasysh. Bibla na paraqet një person i cili është i gjallë sot. Ti mund ta njohësh Atë, dhe njohja e Tij do të ta ndryshojë jetën.

Nëse Jezusi do të ishte thjesht një figurë e shquar e historisë, ti mund të zgjidhje të mësoje nga mësimet e Tij, ose mund të zgjidhje ta shpërfillje Atë. Mirëpo, Jezusi është shumë më tepër se një figurë e shquar e historisë.

Ai është Perëndia me ne. Ai është Zoti i qiellit dhe i tokës. Ai erdhi në botë për ne. Ai vuajti dhe vdiq në kryq për ne. Ai u ringjall prej së vdekurish për ne. Dhe tani, Ai kërkon jetën, dashurinë dhe besnikërinë tonë.

I ringjallur do të thotë që Jezusi është gjallë. Ekziston një Shpëtimtar tek i cili mund të shkosh. Ai do t’i dëgjojë lutjet e tua. Ai mund të të japë forcë, guxim, durim dhe shpresë.

Jezusi është përgjigjja e Perëndisë për problemin njerëzor: Ne kemi përjetimin e së keqes dhe jemi të përjashtuar nga parajsa.

Mesazhi i Biblës nuk është që ti duhet të shpëtosh veten nga e keqja dhe të gjesh rrugën për në qiell duke lexuar Biblën, duke ofruar lutjet e tua dhe duke u përpjekur të jetosh një jetë më të mirë.

Mesazhi i Biblës është që Jezu Krishti është në gjendje të të shpëtojë. Ai mund të të çlirojë nga fuqia e së keqes. Ai mund ta hapë portën e qiellit.

Prandaj, përkushtoju Atij si Zoti dhe Shpëtimtari yt i gjallë, besoji Atij që të të bëjë njeriun që Perëndia po të thërret të jesh.

I ringjallur do të thotë që vdekja është mposhtur

Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që ai të mbahej nga vdekja. (Veprat e Apostujve 2:24)

Gjatë historisë njerëzore, vdekja ka qenë si një despot që ka ushtruar një sundim terrori mbi racën njerëzore. Askush nuk mund t’i shpëtojë asaj. Por ringjallja e Jezusit është garancia e Perëndisë që vdekja do të jetë hyrje për në jetë për të gjithë ata që i përkasin Atij.

Kur isha në shkollën tetëvjeçare, klasa jonë kishte një miush si manar. Ne të gjithë patëm mundësinë ta merrnim miun e vogël në shtëpi gjatë fundjavave, dhe kur erdhi radha ime, vendosa ta lija miushin të luante me lodrat e mia.

Miushit i pëlqente autobusi im i kuq dykatësh në stilin londinez, dhe pasi nuhati përreth, u fut brenda. Kjo ishte diçka jashtëzakonisht argëtuese, derisa miushi arriti në pjesën e përparme të autobusit. Pastaj pata një problem. Miushi, as mund të lëvizte përpara dhe as mund të kthehej prapa. Ai kishte ngecur plotësisht.

Mbaj mend që babai im tha: “Vetëm një gjë mund të bëjmë, bir, do të na duhet ta shkatërrojmë autobusin!”. Ai mori një thikë dhe hapi një vrimë në çati.

Nuk e imagjinon se çfarë lehtësimi ishte. Mirëpo, autobusi im nuk ishte më kurrë i njëjtë. Ishte një pamje me të vërtetë e pazakontë: një autobus i kuq dykatësh londinez me një vrimë në çati.

Sigurisht, kjo i bëri gjërat edhe më interesante për miushin! Më parë, autobusi kishte një hyrje, por nuk kishte një dalje. Tani, miushi mund të hynte nga dera, të ngjiste shkallët dhe të dilte nga çatia.

Kur Jezusi vdiq, Ai “hapi një vrimë në çatinë e vdekjes”. Për ata që i përkasin Atij, vdekja nuk është më një burg, por një kalim që të çon drejt e në praninë e Perëndisë.

I ringjallur do të thotë që i gjithë personi do të shpengohet

Të gjitha fetë kanë njëfarë ideje për jetën pas vdekjes, por ringjallja është unike për krishterimin. Lajmi i mirë nuk është thjesht që Jezusi është i gjallë, por që Jezusi është ringjallur! Ia vlen të mendosh për ndryshimin.

Biri i Perëndisë ishte i gjallë në qiell përpara se të merrte një natyrë njerëzore. Atëherë, përse nuk e la Ai thjesht trupin e Tij të kryqëzuar në varr dhe të kthehej tek Ati? Në fund të fundit, trupi ishte vetëm mish dhe kocka. Pse të shqetësohej për të?

Engjëjt mund të ishin shfaqur mëngjesin e së Dielës së Pashkës dhe të kishin thënë: “Trupi i tij është këtu në varr, por mos u shqetësoni, Fryma e tij është me Atin në qiell.” Në fund të fundit, a nuk është pikërisht kjo ajo që themi në funeralin e një të krishteri?

Por kjo nuk është ajo që gjejmë tek Ungjijtë:

Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”.

Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

Dhe ai u tha atyre: “Pse jeni të turbulluar? Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”.

Dhe, si u tha këtë, u tregoi atyre duart dhe këmbët.

Por, duke qenë se ende nuk po besonin prej gëzimit dhe çuditeshin, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?”.

Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe hoje mjalti.

Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre. (Luka 24:36-43)

Ringjallja na tregon se trupi ka rëndësi. Ti je një bashkim i mrekullueshëm i shpirtit dhe trupit, dhe Jezusi nuk erdhi në botë për të shpëtuar vetëm një pjesë tënden, por për të të shpenguar të gjithin. Ai erdhi për të të marrë ty, trup dhe shpirt, në praninë e Tij.

Lajmi i mirë është që Jezusi u ringjall. Trupi i ringjalljes është e ardhmja e lavdishme që e pret çdo besimtar të krishterë.

Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikurse në Adamin të gjithë vdesin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. (1 e Korintasve 15:20-23)

  • Lindja
  • Tundimi (30 vjet)
  • Kryqëzimi (3 vjet)
  • Ringjallja (3 ditë)
  • Ngjitja (40 ditë)

Pas ringjalljes, Jezusi iu shfaq dishepujve të Tij në shumë raste. Luka tregon se Jezusi “iu paraqit i gjallë me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë” (Veprat e Apostujve 1:3).

Jezusi u takua me dishepujt e Tij mbi një mal në Galile dhe i urdhëroi “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19). Pastaj, Ai u dha atyre këtë premtim të mrekullueshëm: “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (28:20).

Shfaqjet e Jezusit të ringjallur u shpërndanë në një periudhë prej gati gjashtë javësh. Mirëpo, Jezusi u kishte thënë tashmë dishepujve të Tij se do të kthehej tek Ati, dhe dyzet ditë pas ringjalljes, Jezusi u ngjit në qiell.

5. Jezusi u ngjit 

Luka shkruan rreth ngjitjes së Jezusit në qiell:

Dhe i priu jashtë deri në Betania dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi. Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell. Dhe ata, e adhuruan dhe u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh. (Luka 24:50-52)

Pse u mbushën dishepujt me gëzim kur Jezusi sapo ishte larguar prej tyre?

Nuk do ta harroj kurrë ditën kur u përshëndetëm me prindërit në aeroportin e Glasgow-t, teksa u nisëm nga Skocia për në Amerikë.

Ne ishim të përgatitur mirë dhe të gjithë besonin se ishte gjëja e duhur. Mirëpo, ne po emigronim. Nuk do të ishim më të pranishëm fizikisht me njerëzit e dashur. Dhe sado mirë të jesh përgatitur për të thënë mirupafshim, kur vjen ai moment, nuk e ke kurrë të lehtë.

Nëse do të kishim dëgjuar se pasi u larguam, prindërit e mi do të ishin kthyer me gëzim në shtëpi, patjetër që do të na habiste ky fakt. Atëherë, përse u mbushën dishepujt me gëzim kur Jezusi u ngjit?

Dishepujt gëzojnë, sepse Jezusi është në qiell

Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell. (Luka 24:51)

Mendo për rëndësinë e hyrjes së Jezusit në qiell. Zoti Jezu Krisht mori natyrën tonë njerëzore mbi tokë, dhe tani, Ai e ka marrë natyrën tonë njerëzore në qiell.

Adami u dëbua nga prania e Perëndisë dhe të gjithë fëmijët e tij u larguan nga Perëndia. Jezusi është mirëpritur në qiell, dhe të gjithë ata që i përkasin Atij, do të mirëpriten gjithashtu atje.

Kur Jezusi u ngjit në qiell, dishepujt e dinin se Ai ishte pikërisht aty ku ata kishin nevojë që Ai të ishte.

Supozo se je në burg, i akuzuar për një krim të rëndë. Ty të duhet një avokat.

Ndërsa e njeh më mirë avokatin tënd, zbulon që ai është një njeri shumë i dhembshur. Kur Ai vjen të takon në qeli, ti ngushëllohesh nga prania e Tij.

Mirëpo, ajo që të nevojitet më shumë nga avokati yt, nuk është ngushëllimi i tij në qeli, por mbrojtja që ai do të të ofrojë në sallën e gjyqit. Dhe nevoja jonë më e madhe është një përfaqësues që do të na mbrojë përpara Perëndisë Atë. Kjo është pikërisht ajo që Jezusi bën për ne në qiell.

Kemi një avokat tek Ati, Jezu Krishtin, të drejtin. (1 e Gjonit 2:1)

Kur Jezusi u ngjit në qiell, dishepujt u mbushën me gëzim, sepse e kuptuan që, në qiell, Ai do t’i fliste Atit në emër të tyre.

Dishepujt gëzojnë, sepse Jezusi po e bekon popullin e Tij

Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell. (Luka 24:51)

Një vështrim i fundit gjithmonë lë një përshtypje që zgjat, dhe pamja e fundit që dishepujt patën për Jezusin, ishte me duart e Tij të ngritura për t’i bekuar ata.

Jezusi u ngjit teksa ishte ende duke i bekuar dishepujt e Tij. Dhe nëse pyesim se çfarë po bën Jezusi tani, përgjigjja është që Ai ende po e bekon popullin e Tij.

Libri i Hebrenjve na tregon se…

[Jezusi] mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. (Hebrenjve 7:25)

Jezusi ndërmjetëson për ne. Ai i flet Atit në emrin tonë, dhe atë që Jezusi kërkon, Ati ia jep. Ti do të kesh gjithçka që të nevojitet, për gjithçka me të cilën do të përballesh në çdo rrethanë të jetës, sepse Jezusi i flet Atit në emrin tënd.

Dishepujt gëzojnë, sepse Jezusi do të kthehet 

Kur Jezusi u ngjit në qiell, një engjëll iu shfaq dishepujve dhe u tha:

“Burra galileas, çfarë qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell.” (Veprat e Apostujve 1:11)

Ky ishte premtimi i Vetë Jezusit. Ai u tha dishepujve të Tij se po shkonte të përgatiste një vend për ta. Ai e bëri këtë nëpërmjet vdekjes, ringjalljes dhe ngritjes së Tij në qiell.

Më pas, Ai tha: “[Unë] do të kthehem përsëri dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3). Jezusi hyri në qiell, me qëllim që qielli të jetë i hapur për ne. Nuk është çudi që dishepujt ishin të mbushur me gëzim!

Katër Ungjijtë – Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni – na tregojnë se Jezusi lindi, se Ai u tundua, se Ai u kryqëzua, se Ai u ringjall dhe se Ai u ngjit në qiell.

Gjoni thotë:

Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij. (Gjoni 20:31)

Perëndia u jep disa dhurata të mrekullueshme atyre që besojnë në Zotin Jezu Krisht. Ato përshkruhen në letrat e Dhiatës së Re, prandaj qëndro me ne. Ne do të shohim pesë prej tyre në mësimin tonë të fundit.

Gjoni 20:24-31

24 Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi.

25 Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin.” Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj.”

26 Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “Paqja me ju!.”

27 Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!.”

28 Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!.”

29 Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!.”

30 Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër.

31 Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

Përdori këto pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskutoji ato me një person tjetër, ose përdori si pyetje për reflektim personal.

1Në cilën nga këto 5 ndodhi e sheh më qartë dashurinë e Perëndisë për ne? Pse?
2Cila mendon se është arritja më e madhe e jetës së Jezusit mbi tokë?
3Cilat janë një ose dy mënyra se si e sheh Jezusin ndryshe nga si e shihje përpara se ta përfundoje këtë mësim?
Next Session

Details

SCRIPTURE Gjoni 20:24-31

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.