Fluturimi Image

Fluturimi

Fluturimi

5 Dhurata që Perëndia ia jep çdo të krishteri

Efesianëve 1:3-14

5 Dhurata që Perëndia ia jep çdo të krishteri

Letrat

Mirë se erdhe përsëri në mësimin e tretë dhe të fundit të Hape Biblën. Kemi takuar tashmë 5 personazhe nga Dhiata e Vjetër. Kemi parë 5 ndodhi nga jeta e Jezusit në Ungjijtë. Dhe në këtë mësim të fundit, ne do të shohim 5 dhurata që Perëndia ua jep të gjithë atyre që besojnë në Zotin Jezu Krisht.

  • Fryma e Shenjtë
  • Besimi
  • Falja
  • Kisha
  • Qielli

1. Dhurata e Frymës së Shenjtë

Përpara se Jezusi të ngjitej në qiell, Ai u tha dishepujve të Tij të prisnin në Jerusalem derisa t’u jepej Fryma e Shenjtë e premtuar.

“Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të më bëheni dëshmitarë në Jerusalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut.” (Veprat e Apostujve 1:8)

Dhjetë ditë pasi Jezusi u ngjit në qiell, në Jerusalem ishte një festë e njohur me emrin Festa e Rrëshajëve. Libri i Veprave të Apostujve regjistron se si, gjatë festës së Rrëshajëve, Fryma e Shenjtë u derdh mbi të gjithë dishepujt e Jezusit.

Dita u karakterizua nga tri ndodhi të jashtëzakonshme:

Ushtima e erës

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. Dhe befas nga qielli u bë një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm dhe e mbushi gjithë shtëpinë, ku ata po rrinin. (Veprat e Apostujve 2:1-2)

Në botën e lashtë, shumë gjuhë përdornin të njëjtën fjalë për “erë”, “hukatje” ose “frymë”. Tingulli i erës është pothuajse i njëjtë me atë të hukatjes, vetëm se është shumë më i fortë dhe zgjat më shumë: “Hhhhhhuuuuu.”

Në fund të Ungjillit të Gjonit, na thuhet se Jezusi hukati mbi dishepujt.

Pastaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Dhe, si tha këtë, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Frymën e Shenjtë!” (Gjoni 20:21-22)

Jezusi po u shpjegonte se çfarë do të ndodhte në ditën e Rrëshajëve. “Kështu do të jetë: Unë do të ngjitem në qiell dhe kur të jem ngjitur, do të hukat Frymën time: Hhhhhuuuuu.”

Tani, kur dishepujt dëgjuan “tingullin e një ere që fryn furishëm”, ai ishte i njëjti tingull që kishin dëgjuar kur Jezusi fryu mbi ta, vetëm se ky ishte shumë më i fortë. Ata, pra, e dinin se çfarë po ndodhte – Fryma e Shenjtë po derdhej, ashtu siç kishte premtuar Jezusi.

Tani kur përballeni me diçka të pazakontë në Bibël, është e dobishme të pyesni: “Ku e kemi parë diçka të tillë më parë?”. Dhe nëse bëjmë pyetjen: “Ku e kemi hasur më parë tingullin e erës ose të hukatjes?”, ka një përgjigje të qartë.

Në Dhiatën e Vjetër, ne pamë që Perëndia i fryu Adamit një frymë jete. Perëndia krijoi një trup nga pluhuri i tokës dhe më pas i dha frymë trupit të pajetë. Perëndia i fryu Adamit dhe ai u bë një qenie e gjallë.

Ajo që bëri Perëndia për Adamin, ilustron atë që Ai bëri ditën e Rrëshajëve. Në krijim, Perëndia fryu në trupin e Adamit dhe ai u bë një qenie e gjallë. Në festën e Rrëshajëve, Perëndia hukati mbi besimtarët e parë dhe kisha (që është trupi i Krishtit) erdhi në jetë.

Ndodhia e dytë e jashtëzakonshme ishte…

Pamja e flakëve të zjarrit

Dhe atyre iu dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. (Veprat e Apostujve 2:3)

Përpiqu ta imagjinosh veten duke qëndruar mes këtyre besimtarëve kur ndodhi kjo ngjarje. Ajo që ata panë, duhet t’u jetë dukur në fillim si një top i madh ose si një shtyllë zjarri, që po vinte drejt tyre. Duhet të ketë qenë absolutisht e tmerrshme.

Ndërsa topi i zjarrit po afrohej, u nda në disa flakë të veçuara ose “gjuhë zjarri”, prandaj, ajo që dukej si një flakë, zuri vend mbi çdo person në dhomë. Një flakë qëndroi mbi çdo person, por asnjëri prej tyre nuk u dogj!

Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia iu shfaq Moisiut në një flakë zjarri të ndezur mbi një ferrishte që nuk konsumohej nga flaka. Në ditën e Rrëshajëve, Perëndia u dha dishepujve të parë të njëjtën shenjë të pranisë së Tij të afërt.

Kur Perëndia iu shfaq Moisiut në zjarr, e urdhëroi atë që ta nxirrte popullin e Tij nga skllavëria. Tani në Rrëshajë, prania e Perëndisë zbriti në zjarr për ta dërguar kishën e Tij në mision.

Provoje ta imagjinosh këtë me mua. Ngre kokën lart dhe sheh sipër teje një top zjarri. Ti e kupton se çfarë po ndodh: Perëndia po vjen për ta dërguar popullin e Tij në mision. Topi i zjarrit po zbret ngadalë. Te cili do të qëndrojë? A do të jetë mbi Pjetrin? Apo mbi Jakobin? Ndoshta mbi Gjonin? Apo ndoshta mbi të gjithë apostujt?

Mirëpo, ndërsa shikon lart drejt topit të zjarrit, ti e kupton se, ndërsa zjarri ndahet në disa flakë, njëra prej tyre po vjen drejt teje! Ti sheh përreth te të tjerët në dhomë dhe një flakë zjarri po qëndron mbi secilin prej tyre.

E kupton idenë. Fryma e Perëndisë derdhet mbi të gjithë ata që besojnë në Jezusin. Nuk janë vetëm disa të privilegjuar që caktohen për t’i shërbyer Zotit, por është i gjithë populli i Perëndisë!

Ndodhia e tretë e jashtëzakonshme në Ditën e Rrëshajëve ishte…

Komunikimi në shumë gjuhë 

Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin. (Veprat e Apostujve 2:4)

Në ditën e Rrëshajëve, njerëz “nga të gjitha kombet nën qiell” ishin mbledhur në Jerusalem. (Veprat e Apostujve 2:5). Kur erdhi Fryma e Perëndisë, njerëzit e Tij zbuluan se ishin në gjendje të flisnin në gjuhë, të cilat nuk i kishin mësuar kurrë. Kështu, njerëz nga e gjithë bota e dëgjuan lajmin e mirë të Jezusit në gjuhën e tyre.

Kur turmat në qytet dëgjuan ushtimën e erës, shkuan në drejtimin nga vinte ajo, për të parë se çfarë po ndodhte (Veprat e Apostujve 2:6). Kur mbërritën, i gjetën këta njerëz duke shpallur në gjuhë të ndryshme atë që kishte bërë Perëndia.

Nëse do të kishe qenë vizitor në Jerusalem atë ditë, do të kishe kërkuar dikë që fliste gjuhën tënde. Dhe kjo është ajo që ndodhi. Grupe të vogla u mblodhën rreth secilit prej besimtarëve dhe të gjithë dëgjuan se çfarë kishte bërë Perëndia, në një gjuhë që ata mund ta kuptonin.

Premtimi i Perëndisë për t’i bekuar të gjitha familjet e tokës, po përmbushej, dhe vazhdon të përmbushet edhe sot. Lajmi i mirë për atë që ka bërë Perëndia në Jezusin, është për të gjithë popujt. Perëndia dëshiron që ai lajm të shpallet në çdo gjuhë. Dhe të gjithë ata që besojnë, kanë një rol për të luajtur në komunikimin e këtij lajmi të mirë.

Gjuhën e kujt mund të flasësh ti? Ndoshta mund të flasësh në një mënyrë që fëmijët ose të rinjtë mund ta kuptojnë. Ndoshta mund të flasësh në një gjuhë e cila do të të mundësojë të komunikosh me njerëz nga një kulturë tjetër. Ndoshta ti mund të mësosh një gjuhë dhe të jesh mjeti me anë të të cilit të tjerët dëgjojnë lajmin e mirë të Jezusit.

A ka ndonjë person në jetën tënde që ka nevojë të njohë Perëndinë e Biblës dhe mund të jetë i gatshëm që ta hapë Biblën bashkë me ty, nëse do ta pyesje?

Perëndia ka vendosur një rreth njerëzish pranë teje dhe ti je ai që mund t’ua sjellë atyre lajmin e mirë për atë që ka bërë Perëndia.

  • Fryma e Shenjtë
  • Besimi
  • Falja
  • Kisha
  • Qielli

Pas erës, zjarrit dhe gjuhëve, Pjetri u ngrit dhe shpjegoi se Perëndia e kishte përmbushur premtimin e Tij për të derdhur Frymën e Shenjtë, dhe ai u tregoi njerëzve arsyen: Perëndia e kishte ringjallur Jezusin prej së vdekurish dhe e kishte lartësuar si Zot të të gjithëve.

Kishin kaluar vetëm pak javë qëkur shumë njerëz në Jerusalem kishin kërkuar që Jezusi të kryqëzohej. Pjetri po u thoshte atyre se burri që kishin kryqëzuar, ishte Biri i Perëndisë.

Njerëzit donin të dinin: “Çfarë duhet të bëjmë?”. Pjetri u bëri thirrje që të pendoheshin, të ndryshonin qëndrimin e tyre ndaj Jezusit dhe të pagëzoheshin.

Rreth 3 000 njerëz reaguan dhe këta formuan një komunitet besimtarësh. Kur Fryma e Shenjtë u derdh, njerëzit erdhën në besim.

2. Dhurata e besimit

Besimi i zë besë asaj që Perëndia ka zbuluar dhe i beson asaj që Ai ka premtuar. Letra drejtuar Hebrenjve na tregon:

Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, bindja e gjërave që nuk shihen. (Hebrenjve 11:1)

Të besuarit është diçka që bëjmë ne. “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Veprat e Apostujve 16:31). Dhe kjo është diçka që duhet ta bëjmë ne. Jezusi tha: “Kjo është vepra e Perëndisë: Që ju të besoni në atë që ka dërguar ai” (Gjoni 6:29).

Mirëpo, Bibla gjithashtu e bën të qartë se besimi është një dhuratë.

Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë. (Efesianëve 2:8)

Pra, të besuarit është diçka që e bëjmë ne, kurse besimi është një dhuratë që e jep Perëndia. Jezusi na bën thirrje të besojmë dhe, me këtë urdhërim, Ai na jep atë që na duhet për t’u bindur.

Dua të bëj tri vëzhgime në lidhje me këtë dhuratë të besimit…

Besimi nuk është një zotësi me të cilën kanë lindur disa njerëz 

Disa njerëz janë natyrshëm tipa më sportivë. E di që stërvitja është punë e vështirë dhe përvetësimi i aftësive në një sport të caktuar kërkon orë të tëra praktike. Mirëpo, disa njerëz janë natyrshëm të aftë në sport. Ata duken mirë kur vrapojnë.

Ne të tjerët nuk jemi të koordinuar aq mirë dhe sado të përpiqemi, nuk do të jemi kurrë në gjendje të konkurrojmë me bashkëmoshatarët tanë që janë më të aftë në sport. Është e njëjta gjë me artin dhe muzikën. Ne të gjithë mund ta provojmë, por disa njerëz e kanë këtë aftësi, kurse ne të tjerët, jo aq shumë.

Do të ishte e lehtë të mendohej se është e njëjta gjë edhe kur bëhet fjalë për besimin. Kam dëgjuar njerëz të thonë: “Disa njerëz kanë prirje drejt besimit, por unë jo. Nuk mendoj se mund të besoj ndonjëherë.”

Nëse besimi do të ishte një aftësi me të cilën lindin vetëm disa njerëz, do të ishte tmerrësisht e padrejtë. Perëndia do t’i kishte vendosur disa njerëz në një pozitë privilegji, ku do të ishte e lehtë për ta që të shpëtoheshin. Kurse ne të tjerët zor se do të kishim një shans.

Besimi nuk është një aftësi me të cilën kanë lindur disa njerëz. Nuk është një prirje që duhet ta gjejmë brenda nesh.

Besim është të besosh atë që Perëndia ka zbuluar dhe atë që Ai ka premtuar, dhe Perëndia u ka dhënë të njëjtën zbulesë dhe të njëjtat premtime të gjithë njerëzve në Bibël. Prandaj, askush nuk ka përparësi ndaj askujt tjetër, kur bëhet fjalë për besimin.

Nëse besimi nuk është një dhuratë me të cilën ke lindur, atëherë si e merr atë?

Besimi vjen nëpërmjet Fjalës së Perëndisë 

Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë. (Romakëve 10:17)

Besimi i zë besë asaj që ka zbuluar Perëndia. Ai mbështetet mbi atë që ka thënë Perëndia. Nëse Perëndia nuk do të kishte folur, besimi do të ishte i pamundur. Por ja ku është lajmi i mirë: Perëndia ka folur, dhe kjo është arsyeja pse besimi është i mundur.

Ajo që po bëjmë sot duke hapur Biblën, është shumë më tepër sesa studimi i një libri të lashtë. Ne po dëgjojmë Fjalën e Perëndisë. Dhe besimi vjen përmes dëgjimit. Fjala e Perëndisë është si farë e gjallë. Ajo rritet aty ku mbillet, dhe jep frytin e besimit.

Besimi përfshin besimin personal të bazuar në prova bindëse 

Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të keni jetë në emër të tij. (Gjoni 20:31)

Perëndia nuk zgjatet nga qielli me një grusht të shtrënguar duke bërtitur: “Beso! Beso!”. Perëndia e zbulon Veten në Shkrim dhe më pas na fton të shqyrtojmë provat.

Njerëzit besojnë në Jezusin duke e njohur Atë. Jezusi ua zbuloi Veten dishepujve të Tij ndërsa ata e ndiqnin. Kështu do të jetë edhe për ty. Besimi do të formohet brenda teje ndërkohë që sheh atë që ka zbuluar Perëndia, teksa dëgjon atë që Ai ka premtuar në Bibël, dhe e ndjek Atë.

Ndoshta ti thua: “Unë nuk besoj. Unë s’mund të besoj.” Por pse nuk beson? Mosbesimi yt bazohet në prova. Ajo që ke parë, është që njerëzit të zhgënjejnë, dhe mosbesimi yt bazohet në provat e përvojës sate.

Besimi bazohet mbi prova – mbi dëshminë e Shkrimit. “Këto gjëra janë shkruar që ju të besoni.” Perëndia të fton të dalësh nga bota jote e shkatërruar, e cila të ka mësuar të mos besosh, dhe të shikosh Birin e Tij, Jezusin. Perëndia po të fton ta largosh shikimin nga zhgënjimet e përvojës sate dhe të gjesh shpresë tek Ai.

  • Fryma e Shenjtë
  • Besimi
  • Falja
  • Kisha
  • Qielli

Çfarë ndodh kur një person kthehet te Jezusi me pendim dhe besim?

Jezusi tregoi një histori për një djalë plëngprishës, i cili u largua nga shtëpia dhe i shpërdoroi paratë e babait të tij. Në fund, ai u dëshpërua aq shumë, saqë vendosi të kthehej tek i ati.

Ai priste një pritje mjaft të ftohtë, ndaj vendosi të thoshte: “Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më bëj si një nga mëditësit e tu.” Ndoshta duke punuar për të atin, ai mund të kishte treguar se i vinte vërtet keq dhe me kalimin e kohës mund ta rifitonte favorin e të atit.

Por Jezusi tha se, kur djali ishte ende shumë larg, i ati e pa dhe vrapoi për ta përshëndetur. Ai e përqafoi, e puthi dhe e mirëpriti në shtëpi.

Jezusi tha: “…atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë [kurrë]” (Gjoni 6:37). Kur vijmë te Jezusi me besim dhe pendim, Ai na përqafon me dhuratën e mrekullueshme të faljes së Perëndisë.

3. Dhurata e faljes

Fjala biblike për falje është fjala i drejtësuar. Ndërsa lexon fjalën i drejtësuar ose drejtësim, kujto se ajo do të thotë i faluri pajtuar ose i kthyer në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë.

Kjo është ajo që bën Jezusi, kur ti e shikon Atë me besim. Ai të fal. Ai të drejtëson. Ai të kthen në një marrëdhënie të drejtë me Perëndinë.

Bibla e përshkruan faljen ose drejtësimin tonë në tri mënyra…

  • Ne jemi të falur me anë të hirit.
  • Ne jemi të falur nëpërmjet besimit.
  • Ne jemi të falur për shkak të gjakut të Jezusit.

Ne jemi të falur me anë të hirit 

…sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë, por janë drejtësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. (Romakëve 3:23-24)

“Të drejtësuar … me anë të hirit të tij” na kujton se falja është një dhuratë. Nuk është se Perëndia shikon besimin tënd dhe thotë: “Oh, ajo grua ka besim vërtet mbresëlënës, prandaj do t’ia fal mëkatet e saj!”. Falja nuk është shpërblim për besimin. Ajo është një dhuratë – e pamerituar dhe falas.

Ne jemi të falur nëpërmjet besimit 

Të drejtësuar, pra, prej besimit, kemi paqe me Perëndinë, nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. (Romakëve 5:1)

Falja është dhurata e Perëndisë dhe mënyra se si e marrim atë, është me anë të besimit. Besimi është si një dorë, e hapur për të marrë atë që Perëndia e ofron falas si dhuratë.

Besimi të bashkon me Jezusin. Bibla e portretizon marrëdhënien mes Jezusit dhe atyre që besojnë tek Ai, si bashkimin mes nuses dhe dhëndrit.

Në një celebrim martese, nuses dhe dhëndrit i bëhen këto pyetje: “A do ta marrësh këtë grua si bashkëshorten tënde të ligjshme? A do ta marrësh këtë burrë si bashkëshortin tënd të ligjshëm?”. Të dy duhet të përgjigjen. Dhe kur e bëjnë, krijohet një bashkim i ri.

Mendoje kështu: Perëndia e pyeti Jezusin: “A do t’i marrësh mëkatarët dhe a do të jesh Shpëtimtari i tyre?”. Dhe në kryq, Jezusi po thoshte: “Po, do ta bëj.”

Tani, Perëndia po të pyet ty: “A do ta marrësh Jezusin si Shpëtimtarin tënd?”. Dhe kur ti ia beson veten Jezusit, ti po thua: “Po, do ta bëj.”

Besimi të bashkon me Jezusin, dhe kur bëhesh i Tiji, gjithçka që ka Ai, bëhet e jotja.

Ne jemi të falur për shkak të gjakut të Jezusit 

Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të drejtësuar nëpërmjet gjakut të tij, do të shpëtohemi nga zemërimi me anë të tij. (Romakëve 5:9)

Besimi është mjeti me anë të të cilit ne e marrim dhuratën e faljes së Perëndisë, por dhurata u ble me vdekjen e Jezusit.

Jezusi e derdhi gjakun e Tij për ne në kryq. Ja pse jemi të falur. Besimi është thjesht mjeti me anë të të cilit ne e marrim atë që Ai ka blerë.

Prandaj, mos bëj gabimin që të besosh në besimin tënd. Besim do të thotë t’i zësh besë Jezusit, dhe ajo që ka më shumë rëndësi, nuk është forca e besimit tënd, por forca e Shpëtimtarit tënd.

Pas Krishtlindjeve tona të para në Chicago, familja jonë bëri një udhëtim në Wisconsin. Rruga na çoi në Fond du Lac, ku ndaluam pranë një liqeni për të parë natyrën përreth. Ishte një i ftohtë i acartë. Fëmijët tanë, të cilët ishin vetëm 10 dhe 8 vjeç në atë kohë, thanë: “Babi, a mund të shkojmë mbi akull?”.

Prindërit e dinë se, kur nuk jeni duke menduar, jepni përgjigjen automatike. Në Angli, dimrat janë të butë dhe, kur ka akull, ai shpesh është i hollë. Prandaj, thashë atë që kisha thënë gjithmonë: “Po, por bëni kujdes.”

Dua që ta imagjinoni pamjen e këtyre të huajve të sapoardhur, të cilët lëviznin me shumë kujdes mbi akull në Wisconsin në mes të dimrit. Ishim duke lëvizur me nervozizëm pak nga pak, hap pas hapi, kur befas dëgjuam zhurmën e një motori dhe më pas pamë një makinë duke kaluar mbi liqenin e ngrirë. Nuk mendoj se jam ndier ndonjëherë aq qesharak!

Kishim shumë pak siguri, por ishim plotësisht të sigurt. Akulli mbi të cilin po qëndronim, ishte i fortë si shkëmb. Dhe siguria jonë nuk qëndronte në forcën e besimit tonë, por në forcën e akullit mbi të cilin po qëndronim.

Ne nuk shpëtohemi nga forca e besimit tonë, por nga forca e Shpëtimtarit tonë!

  • Fryma e Shenjtë
  • Besimi
  • Falja
  • Kisha
  • Qielli

Ne, pra, kemi parë dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhuratën e besimit dhe dhuratën e faljes.

Të gjitha këto janë dhurata të mrekullueshme personale – Fryma e Shenjtë vepron në jetën tënde. Besimi është formuar nga Fjala e Perëndisë dhe, kur beson në Zotin Jezu Krisht, Ai bëhet yti, dhe kur Ai është yti, falja është jotja.

Kur Perëndia të pajton me Veten, Ai të sjell në familjen e Tij. Kjo na çon te dhurata e katërt që Perëndia i jep çdo besimtari: dhurata e kishës së Tij.

4. Dhurata e kishës

Çfarë të vjen në mendje kur mendon për kishën? Dritare me xhama të pikturuar? Stola prej druri të fortë? Predikime të gjata dhe të mërzitshme?

Bibla thotë se:

…Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të. (Efesianëve 5:25)

Ti mund të jesh i sigurt se Jezusi nuk e dha veten për dritare me xhama të pikturuar, për stola prej druri dhe predikime të gjata e të mërzitshme. Prandaj, çfarë është kisha dhe pse Jezusi e donte atë aq shumë, sa dha Veten për të?

Jezusi foli për kishën vetëm në dy raste dhe ajo që tha Ai, përcakton se çfarë është kisha për ne.

Kisha përbëhet nga të gjithë besimtarët në të gjitha kohërat dhe vendet 

Herën e parë që Jezusi foli për kishën, ai po iu referohej të gjithë besimtarëve në çdo kohë dhe vend.

Pjetri kishte rrëfyer besimin në Jezusin, dhe Ai i tha:

“Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.” (Mateu 16:18)

Jezusi nuk po flet këtu për një kishë lokale apo denominacion, por për të gjithë besimtarët në çdo kohë dhe në çdo vend. “Unë do të ndërtoj kishën time” – numri njëjës! Ekziston një kishë, e cila përfshin të gjithë besimtarët dhe Jezu Krishti e ndërton atë.

Jezusi tha: “dyert e ferrit nuk do ta mundin” këtë kishë (16:18). Përsëri, Jezusi nuk po fliste për ndonjë kishë lokale apo denominacion.

Në të gjithë botën ka histori të trishtueshme të kishave që kanë humbur rrugën dhe janë mbyllur. Mirëpo, kisha që po ndërton Jezusi, është e shëndoshë e mirë – një pjesë e madhe e saj tashmë është në qiell. Ajo përfshin të gjithë besimtarët në çdo kohë dhe në çdo vend.

Kisha është një bashkësi lokale besimtarësh

Herën e dytë që Jezusi foli për kishën, Ai iu referua qartë një mbledhjeje lokale besimtarësh.

“Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm… por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë… Nëse pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës…” (Mateu 18:15, 16, 17)

“Thuaja kishës” nuk mund të ketë kuptimin “thuaju të gjithë besimtarëve në çdo kohë dhe vend”. Askush nuk mund ta bënte dot këtë. Duket qartë se Jezusi po fliste për një bashkësi lokale besimtarësh.

Prandaj, Zoti ynë e përdori fjalën kishë në dy mënyra: së pari, për të përshkruar të gjithë besimtarët në të gjitha kohërat dhe vendet; së dyti, për të përshkruar një bashkësi lokale besimtarësh, të thirrur nga Perëndia për të adhuruar dhe të dërguar nga Perëndia për të shërbyer.

Kisha nuk është një grup njerëzish të vetëpërzgjedhur. Nuk jemi kurrë vetëm unë, ti dhe disa miq. Jezusi e ndërton kishën e Tij duke i sjellë njerëzit në besim te Vetja dhe duke i mbledhur në bashkësi lokale.

Dy vëzhgime mbi kishën:

Kisha është qendrore për qëllimin e Perëndisë

Pali thotë:

…ç’është bashkësia e misterit, i cili që prej jetëve qe fshehur në Perëndinë, që krijoi gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit; që, nëpërmjet kishës, t’u bëhet e njohur tani principatave dhe pushteteve, në vendet qiellore, urtësia e shumëllojshme e Perëndisë. (Efesianëve 3:9-10)

Këto principata dhe pushtete në vendet qiellore janë engjëjt – qenie frymërore të krijuara nga Perëndia për ta adhuruar dhe për t’i shërbyer Atij. Qëllimi i Perëndisë është që “nëpërmjet kishës” të bëhet e njohur urtësia e Tij.

Ja pse i krijoi Perëndia të gjitha gjërat – që urtësia dhe lavdia e Tij të bëhen të njohura. Dhe si bëhen këto të njohura? Përmes kishës.

Kur mëkatarët e humbur sillen në një jetë të re dhe kthehen te Jezusi me pendim dhe besim, kur ata falen dhe pajtohen me Perëndinë, dhe mblidhen në kishë, engjëjt mbeten gojëhapur dhe thonë: “Shiko çfarë ka bërë Perëndia!”.

Kur besimtarët e duan njëri-tjetrin, pavarësisht mëkateve dhe dështimeve tona të shumta, kur ne e falim njëri-tjetrin, kur i vendosim nevojat e të tjerëve para tonave, engjëjt shohin urtësinë e Perëndisë të shfaqet.

Kisha është qendrore për qëllimin e Perëndisë dhe të qenët anëtar i kishës së Krishtit është një privilegj i pakrahasueshëm.

Kisha ka një të ardhme të lavdishme

Pali na thotë se:

…Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. (Efesianëve 5:25–27)

Ka një ndryshim të madh mes asaj që kisha është tani dhe asaj që do të jetë. Shiko çdo kishë sot dhe do të zbulosh se ajo është shumë larg nga ajo që Perëndia e thërret të jetë. Do të shohësh shumë njolla dhe rrudha. Nusja nuk është veshur ende me shkëlqim.

Mirëpo, Krishti e do kishën me të gjitha njollat ​​dhe rrudhat e saj, dhe nëse jemi si Ai, edhe ne do ta duam kishën e Tij. Jezusi e dha veten për kishën. Dhe nëse jemi si Jezusi, edhe ne do ta duam kishën dhe do ta japim veten për të.

Vëre çfarë po bën Jezusi për kishën e Tij tani. Ai e pastron atë duke e larë me Fjalën. Fjala e Perëndisë është si një banjë në të cilën jemi larë. Ky është modeli i jetës sonë së bashku. Ne lahemi me anë të Fjalës, që gradualisht dhe gjithnjë e më shumë, bukuria e Jezusit të shihet në ne.

Pastaj na thuhet se çfarë do të bëjë Krishti për kishën. Ai do ta “paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (5:27).

Mendo për historinë e Hirushes. Ajo përbuzet nga motrat e saj të shëmtuara, por fati i saj është të martohet me një princ.

Kisha është e përbuzur nga bota, por ajo është nusja e Krishtit, dhe e ardhmja e saj është e lavdishme.

Jezu Krishti do ta paraqesë kishën të shkëlqyer para Vetes së Tij! Atë ditë do të jesh shumë i lumtur që i përket kishës së Tij.

  • Fryma e Shenjtë
  • Besimi
  • Falja
  • Kisha
  • Qielli

Kur flasim për ditën kur të gjithë besimtarët do të bëhen të përsosur, arrijmë te dhurata e fundit dhe më e madhe që ka përgatitur Perëndia.

Jezusi tha:

O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më dhe… (Gjoni 17:24)

Dhurata më e madhe e Perëndisë është dhurata e Vetes së Tij. Një ditë, i gjithë populli i Tij do të hyjë në gëzimin e pranisë së Tij në qiell.

5. Dhurata e qiellit

Historia e Biblës përfundon me Perëndinë që krijon një qiell të ri dhe një tokë të re. Në librin e Zbulesës, Gjoni thotë:

Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë shkuan… (Zbulesa 21:1)

Gëzimet e qiellit dhe të tokës së re do të jenë përtej çdo gjëje që mund të imagjinojmë, por Perëndia përdor dy imazhe për të na dhënë një ide se çfarë e pret popullin e Tij. Ato janë qyteti dhe kopshti.

Perëndia do të jetojë me popullin e Tij 

Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga Perëndia, prej qiellit, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj. (Zbulesa 21:2)

Në këtë pikë, historisë siç e njohim ne, i ka ardhur fundi. Toka është shkretuar në nxehtësinë e zjarrtë të gjykimit të Perëndisë (2 e Pjetrit 3:10).

Londra, Chicago, Pekini, Moska, Delhi dhe Dubai janë zhdukur të gjithë! Tani, Gjoni sheh një qytet të ri që zbret nga qielli. Ai e njeh menjëherë horizontin e tij: është Jerusalemi! Padyshim që ishte i njohur për të.

Jerusalemi është plot domethënie në historinë e Biblës. Pikërisht atje, Perëndia zbriti në Vendin Shumë të Shenjtë për t’u takuar me popullin e Tij. Jerusalemi i vjetër kishte një vend të shenjtë, ku zbriti prania e Perëndisë. Jerusalemi i ri është një vend i shenjtë, ku prania e Perëndisë do të qëndrojë.

Gjoni dëgjoi një zë të madh që vinte nga froni duke thënë:

Dhe dëgjova një zë të madh prej qiellit, që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më, sepse të parat shkuan.” (Zbulesa 21:3-4)

Gjoni e pa qytetin nga jashtë dhe kur – në vegimin e tij – e ftuan brenda qytetit, ajo që pa, ishte një kopsht i bukur.

Parajsa do të ripërtërihet

Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, të shkëlqyer si kristali, që dilte prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit. Në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, pema e jetës…

(Zbulesa 22:1-2)

Historia e Biblës filloi në një kopsht. Kishte pemë në kopsht dhe një prej tyre ishte pema e jetës. Gjoni do ta kishte kapur menjëherë domethënien: kjo është parajsa e ripërtërirë, dhe parajsa e re do të jetë më e lavdishme se ajo që humbi Adami.

Në mësimin tonë të parë, ne pamë se Perëndia i dha Adamit dhe Evës katër dhurata: shtëpi, punë, martesë dhe praninë e Tij.

Në qiell do të keni një shtëpi më të mirë 

Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës… këtej e andej lumit, pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frutë… (Zbulesa 22:1, 2)

Kopshti i Edenit ishte një shtëpi e mrekullueshme për Adamin dhe Evën, por ai nuk kishte kurrë pemë që jepnin fruta të ndryshme çdo muaj!

Kjo na tregon se jeta në parajsë nuk do të jetë kurrë e mërzitshme. Gjithmonë do të ketë diçka të re. Duke përdorur një imazh tjetër, Gjoni na thotë se Zoti do të jetë Bariu ynë dhe Ai do të na çojë te burimet e gjalla të ujërave (Zbulesa 7:17).

Jezusi do të na udhëheqë gjithmonë drejt zbulimeve të reja, dhe gëzimet më të mëdha të jetës sate në këtë botë janë vetëm një shijim i vogël i kënaqësive që do të përjetosh në krijimin e ri të Perëndisë.

Në qiell do të kesh një punë më të mirë 

…në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë… Zoti Perëndi i ndriçon; dhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve. (Zbulesa 22:3, 5)

Kushtoji vëmendje faktit se çfarë do të bëjmë në qiell: ne do të adhurojmë, do të shërbejmë dhe do të mbretërojmë. Kur Perëndia thotë që ne do të mbretërojmë, Ai po na tregon se jeta nuk do të jetë më e rrëmujshme dhe do të vihet nën kontrollin tonë.

Ti nuk do të përleshesh më me dallgët e paparashikueshme të emocioneve, me mashtrimet e mendjes apo me impulset e vullnetit. Ti nuk do të vuash më nga marrëdhënie që nuk funksionojnë, dhe nuk do t’i nënshtrohesh më rrezikut ose vdekjes.

Jeta jote do të jetë e harmonizuar, puna jote e përmbushur dhe marrëdhëniet e tua do të jenë të shëndetshme. Vetë jeta do të vihet nën kontrollin tënd, dhe ti do të jesh i lirë të përmbushësh të gjitha qëllimet e Perëndisë, dhe gjithçka që do të bësh, do t’i ofrohet Perëndisë si adhurim.

Në qiell do të kesh një shoqëri më të mirë

Kopshti i Edenit shijohej vetëm nga një burrë dhe një grua. Mirëpo tani, një turmë e madhe po hyn në portat e qytetit të Perëndisë.

Gjoni pa se qyteti kishte

…një mur të madh dhe të lartë dhe kishte dymbëdhjetë porta, dhe mbi porta dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilët janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit. Nga lindja tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe, nga perëndimi, tri porta. (Zbulesa 21:12-13)

Gjoni pa dymbëdhjetë porta në Jerusalemin e ri. Dyert kishin pamje nga veriu, jugu, lindja dhe perëndimi. Njerëzit erdhën në qytet nga të gjitha drejtimet: nga Kina në lindje, nga Rusia në veri, nga Afrika në jug dhe nga Amerika në perëndim.

Gjoni pa një engjëll që qëndronte në secilën prej dyerve, dhe të gjitha dyert ishin të hapura (21:25). Në fillim të historisë së Biblës, dera e parajsës u mbyll. Kerubimët ruanin rrugën për te Pema e Jetës me një shpatë flakëruese. Nuk kishte asnjë mënyrë për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.

Mirëpo, Jezusi e ka thyer shpatën e gjykimit, dhe tani, engjëjt janë te portat për të mirëpritur të gjithë ata që i përkasin Atij. Njerëzit po vërshojnë brenda nga çdo kontinent i botës – një turmë e pamasë njerëzish nga çdo fis dhe komb – të gjithë të shpenguar nga Jezu Krishti.

Në qiell do të kesh një njohuri më të mirë për Zotin

Gjoni thotë:

…do të shohin fytyrën e tij… (Zbulesa 22:4)

Prania e Perëndisë në këtë qytet është bekimi i tij më i madh. Në kopshtin e Edenit, Perëndia zbriste si vizitor dhe ua zbulonte Veten. Por në krijimin e ri, Perëndia nuk do të jetë më vizitor. Perëndia do të banojë me ne dhe ne do të shohim fytyrën e Tij!

Të shijosh përjetësinë në praninë e Perëndisë është dhurata më e madhe e Tij, dhe kjo është një dhuratë të cilën Ai ta ofron ty.

“Unë do t’i jap atij që ka etje si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.” (Zbulesa 21:6)

Qielli nuk është një shpërblim që mund ta fitosh; ai është një dhuratë që duhet ta marrësh. Dhe Jezu Krishti ua jep këtë dhuratë të gjithë atyre që besojnë tek Ai.

Bibla përfundon me një ftesë të mrekullueshme 

Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon, le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës. (Zbulesa 22:17)

Fryma dhe Nusja të ftojnë të vish. Nusja është Kisha dhe sot kam privilegjin të flas për të, dhe të të ftoj të vish dhe të besosh në Zotin Jezu Krisht.

Dhe Fryma, që është Perëndia Frymë e Shenjtë, thotë: “Eja!”. Perëndia dëshiron që ti të shijosh krijimin e Tij të ri. Ja pse erdhi Jezusi në botë. Ai shkoi në kryq për ty. Ai u ngjall prej së vdekurish për ty. Ai të ofron jetë të përjetshme.

Por ti duhet të vish. Duhet të besosh. Ti duhet të marrësh atë që të ofron Ai.

Dhe kur ta bësh, do ta kesh këtë shpresë, e cila gjendet në fjalët e fundit të Biblës.

Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen.” Po, eja, Zoti Jezus. Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen. (Zbulesa 22:20-21)

Efesianëve 1:3-14

3 I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin,

4 sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,

5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet,

6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij,

7 në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij,

8 të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh me gjithë urtësinë dhe mençurinë,

9 duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij,

10 që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.

11 Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij,

12 që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin.

13 Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,

14 i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.

Përdori këto pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskutoji ato me një person tjetër ose përdori si pyetje për reflektim personal.

1Çfarë mëson për Perëndinë nga fakti që Ai që dëshiron të na i japë këto 5 dhurata?
2A ka ndonjë nga këto 5 dhurata që mendon se nuk është e jotja? Pse?
3Cila nga këto 5 dhurata të sjell gëzimin më të madh? Pse?
Next Session

Details

SCRIPTURE Efesianëve 1:3-14

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.