Ngjita Image

Ngjita

Ngjita

Shpresë

Malakia 4:1-6

Ndërsa kemi ardhur në fund të Dhjatës së Vjetër, ia vlen të pyesim veten për këtë: Ku qëndrojnë gjërat në marrëdhëniet midis Perëndisë dhe popullit të Tij pas gjithë këtyre viteve? Malakia nuk na jep një përgjigje inkurajuese.

Të Armiqësuar me Perëndinë

Një model i rezistencës ndaj Perëndisë përshkon librin e Malakias. Perëndia fillon duke pohuar dashurinë e Tij: “‘Unë ju kam dashur’, thotë Zoti” (Malakia 1:2). Por populi i Perëndisë kryqëzoi krahët në kundërshtim: “Si na ke dashur?” (1:2).

Pastaj Perëndia u drejtohet priftërinjve që përçmojnë emrin e Tij, por ata thonë,  “Si e kemi përbuzur emrin tënd?” (1:6).

Më pas Perëndia ngre çështjen e të dhjetave. “Një njeri do të vjedhë Perëndinë? Megjithatë ju më vidhni” (3:8). Por populli i Perëndisë kundërshton duke thënë: “Çfarë të kemi vjedhur?” (3:8).

Pastaj Perëndia akuzon popullin e Tij se flasin ashpër për Të.  “Keni përdorur fjalë të ashpra kundër meje” (3:13). Por me pafajsi të shtirur ata pyesin, “Çfarë kemi thënë kundër teje?” (3:13).

Ky diskutim nuk po arrin një konkluzion, dhe shembulli i kësaj tregohet përgjatë gjithë librit—mohim, mohim, mohim. Kur Perëndia ngre çështjen e pendimit—“Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju”, thotë Zoti i ushtrive” (3:7)—përgjigjia jepet në formë sfide: “Si duhet të kthehemi?” (3:7).

Marrëdhëniet restaurohen kur çështjet që kanë shkaktuar shkelje dalin në dritë dhe trajtohen me ndershmëri. Por kur Perëndia zgjati dorën për t’u pajtuar me njerëzit e Tij, ata ishin duke e mohuar problemin.

Konflikti Njerëzor 

Përveç faktit që i kishin kthyer shpinën Perëndisë, Dhjata e Vjetër përfundon me popullin që janë në konflikt edhe me njëri-tjetrin. Në kopsht, Adami dhe Eva gëzonin një marrëdhënie të bukur, në të cilën dashuria e tyre për njëri-tjetrin pasqyronte dashurinë e Perëndisë për ta.

Ata ndiheshin rehat me njëri-tjetrin dhe besimi që ndjenin ishte i plotë, por njohuria e së keqes e ndryshoi gjithë këtë. Adami fajësoi gruan e tij për ato që kishin ndodhur, dhe për herë të parë, dyshimi u krijua midis burrit dhe gruas. Njohja e së keqes solli largimin në martesën e parë.

Asnjë çift nuk imagjinon në ditën e dasmës se një ditë do përfundojnë duke u divorcuar. Por në kohën e Malakias, ashtu si në tonën, martesat po shkatërroheshin përditë: “Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesi, ndonëse ajo është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate” (2:14).

Historia e Dhjatës së Vjetër filloi me një burrë dhe një grua që gëzonin së bashku një jetë të përsosur në kopsht, dhe përfundon me burra dhe gra të paaftë për të mbajtur një marrëdhënie besnikërie dhe dashurie. Ftohja që filloi me besimin e thyer në një martesë, çoi në një botë me konflikt ku familjet, komunitetet, dhe kombet janë përçarë.

Nën një Mallkim 

Sikur largimi nga Perëndia dhe ftohja ndaj njëri-tjetrit të mos mjaftonte, një mallkim i tmerrshëm qëndron mbi çdo person të lindur në këtë botë. Mallkimi i Perëndisë mbi ligësinë gjendet në gjithë librin e Malakias: “do të dërgoj mbi ju mallkimin dhe do të mallkoj bekimet tuaja” (2:2). “Mallkimi ju ka qëlluar, sepse më vidhni, po, mbarë kombi” (3:9).

Vargu i fundit në Dhjatën e Vjetër mbaron me një mallkim: “Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë” (4:6). Kështu që, në fund të Dhjatës së Vjetër, asnjë përparim nuk është bërë në lidhje me trajtimin e problemit tonë të armiqësisë me Perëndinë, të konfliktit tonë me njëri-tjetrin, apo rreth mallkimit të tmerrshëm që qëndron mbi të gjithë ne.

Premtimi i Papërmbushur

Problemi i mëkatit haset në gjithë Dhjatën e Vjetër, por zemra e historisë së Biblës, fillon me një premtim. Kur ligësia hyri në botë, Perëndia premtoi se dikush, i lindur nga një grua, do të shkatërronte të ligun dhe gjithë veprat e tij (Zanafilla 3:15).

Perëndia dërgoi Malakian për t’i kujtuar popullit të Tij jo vetëm problemin, por edhe premtimin: “Do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij, dhe ju do të dilni dhe do të hidheni si viçat që dalin nga stalla” (Malakia 4:2).

Do të vijë dita kur të gjitha plagët e popullit të Perëndisë do të shërohen dhe ata do të përjetojnë lirinë që gëzojnë viçat kur lëshohen. Por në fund të Dhjatës së Vjetër ne akoma jemi duke pritur për këtë premtim që të përmbushet.

Koha për Pushim 

Nëse Bibla do të paraqitej si një dramë, ajo do të shpalosej në dy pjesë, si një shfaqje teatrale me dy akte. Dhjata e Vjetër është akti i parë, dhe ndërsa mbaron, ne jemi gati për një pushim përpara se të rikthehemi për të parë se çfarë ndodh në aktin e dytë. Ndërsa qëndrojmë në korridor për të reflektuar për aktin e parë, njerëzit po flasin rreth asaj që kanë parë.

“Një pjesë ishte shumë e rëndë,” thotë një burrë trupmadh ndërsa ndez llullën.

“Një pjesë e saj më bëri për të qarë,” thotë një grua me një gotë verë në dorë.

“Shpresoj që akti i dytë do të ketë një përfundim më të lumtur se ky,” thotë një i tretë.

“Patjetër që duhet të ketë,” thotë dikush tjetër. “Gjatë gjithë aktit dëgjuam premtimet dhe shenjat: diçka e mirë ka për të ndodhur.”

“Epo, çfarëdo që të jetë, nuk ka ardhur akoma,” thotë dikush që duket goxha i irrituar. “Asgjë nuk ka ndodhur gjatë gjithë aktit në lidhje me zgjidhjen e problemit thelbësor.”

“Çfarë të thuash asgjë nuk ka ndodhur?” ndërhyn bashkëshortja e tij. “Ne kishim Ligjin dhe sakrificat: kishim mbretër dhe priftërinj: pamë renë e praninë së Perëndisë në tempull.”

“Edhe pastaj?” i kthehet burri i irrituar. “Problemi kryesor nuk është zgjidhur akoma. Ata janë akoma të armiqësuar me Perëndinë. Janë akoma në konflikt me njëri-tjetrin, dhe mallkimi ende qëndron mbi ta.” Zilja dëgjohet që lajmëron fundin e pushimit, dhe ata të gjithë rikthehen tek vendet e tyre në sallën e teatrit për të parë aktin e dytë.

Mos e Humb Aktin e Dytë! 

Kur arrin tek fundi i Dhjatës së Vjetër, me ligjet, priftërinjtë, dhe sakrificat e saj, ti pyet veten, “Kush mund t’i japë fund armiqësisë tonë me Perëndinë, të ndryshojë zemrat tona, dhe të largojë mallkimin e tmerrshëm?”

Dhjata e Re i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Jezus Krishti erdhi në botë për të na pajtuar me Perëndinë: “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjetri 3:18).

Jezusi erdhi të na pajtojë me njëri-tjetrin: “Sepse ai është paqja jonë, ai që ka bërë nga dy një, dhe shembi murin e mesit të ndarjes” (Efesianëve 2:14). Dhe Jezusi erdhi për të na liruar nga mallkimi sepse “u bë mallkim për ne” (Galatasve 3:13). Por nëse shpresa jonë gjendet vetëm tek Jezusi, cili është kuptimi i Dhjatës së Vjetër? E kuptuar siç duhet, Dhjata e Vjetër na përgatit të njohim Jezusin si Shpëtimtarin që na duhet, dhe ta mirëpresim Atë me besim.

Përmes Dhjatës së Vjetër, Perëndia na tregon (1) kush është Ai dhe kush jemi ne, (2) cili është problemi ynë më i thellë, (3) kush është Jezusi, (4) atë që Ai do të përmbushë dhe (5) atë që Ai u ofron të gjithë atyre që besojnë në Të.

Pra, le të rishikojmë atë që kemi përfituar nga udhëtimi ynë në Dhjatën e Vjetër.

Perëndia është Krijuesi dhe zotëruesi i gjithçkaje. Jeta jote është një dhuratë nga duart e Tij (mësimi 1), dhe je bërë që ta shijosh dhe ta adhurosh Atë përgjithmonë (mësimi 16). Perëndia që të ka krijuar është i shenjtë (mësimi 20), dhe problemi yt më i madh është se ke lindur në një botë që është nën një mallkim (mësimi 2), i rrënuar nga njohja e së keqes, dhe i përjashtuar nga prania e Perëndisë.

Prirja për ta dashur veten më shumë se Perëndinë dhe për t’u kujdesur për veten tënde më shumë se të tjerët qëndron thellë brenda teje, dhe të bën të shkelësh ligjin e Perëndisë dhe të mëkatosh kundër Tij (mësimet 7; 17). Ti ke nevojë për një Shpëtimtar, dhe Jezusi është Shpëtimtari që të nevojitet. Ai është lavdia e Perëndisë që erdhi në këtë botë të huaj (mësimet 25; 27). Ai është tempulli i vërtetë, në të cilin prania e Perëndisë ka zbritur mes nesh (mësimi 15). Ai është shërbëtori që kryen vullnetin e Perëndisë (mësimi 21). Ai është njeriu që vuajti në këtë botë të mbushur me lotë (mësimi 24). Ai është Bariu i Mirë, i cili dha jetën e tij për delet e Tij (mësimi 26). Ai është profeti, prifti, dhe mbreti ynë (mësimet 14; 9; 12).

Në jetën e Tij, Ai përmbushi drejtësinë që Perëndia kërkon prej nesh (mësimi 18). Duke dorëzuar atë jetë të përsosur, Ai mbajti gjykimin që na takonte (mësimi 4), duke bërë shlyerjen përmes derdhjes së gjakut të Tij (mësimet 8; 6). Ai e përmbush premtimin e dhënë Abrahamit (mësimi 5), dhe Ai do të mbretërojë në fronin e Davidit përgjithmonë (mësimi 13).

Jezusi është i gatshëm të të falë mëkatet e tua dhe të të pajtojë me Perëndinë. Ai është Dorëzuesi që mund të të çlirojë (mësimi 11). Ai është në gjendje të të ndryshojë zemrën tënde (mësimi 23) dhe Ai mund të të japë kurajë, shpresë, dhe gëzim të ri (mësimet 10, 28, 19). Në dashuri, Ai po thërret (mësimi 22), duke të ofruar këtë shpëtim lirisht (mësimi 3).

Dhjata e Vjetër, e kuptuar siç duhet, do të të çojë drejt besimit tek Jezusi. A je gati ta mirëpresësh Atë?

Një Shteg i Hapur

Do të ishte e lehtë të krijoje idenë se të gjitha fetë të çojnë tek Perëndia, por Dhjata e Vjetër na mëson të kundërtën. Asnjë fe nuk na sjell dot te Perëndia, madje as vetë feja e Dhjatës së Vjetër. E gjithë Dhjata e Vjetër na është dhënë për të na treguar përse kemi nevojë për Jezusin dhe për të na përgatitur për ardhjen e Tij. Perëndia i shkatërron të gjitha shpresat e rreme në mënyrë që ne të gjejmë shpresë tek Biri i Tij, i cili i përgjigjet problemit të mëkatit dhe përmbush premtimin e Perëndisë.

Malakia 4:1-6

Ngjarje që lidhen me ardhjen e ditës së Zotit

1 Sepse ja, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë”, thotë Zoti i ushtrive, “në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.

2 Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij, dhe ju do të dilni dhe do të hidheni si viçat që dalin nga stalla.

3 Do t’i shkelni me këmbë të pabesët, sepse do të jenë hi nën tabanin e këmbëve tuaja gjatë ditës që unë po përgatis”, thotë Zoti i ushtrive.

4 “Mbani mend ligjin e Moisiut, shërbëtorit tim, të cilit në Horeb i urdhërova statutet dhe dekretet për mbarë Izraelin.

5 Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.

6 Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

1Nëse do të ishe në koridorin e teatrit në fund të aktit të parë, çfarë do të thoje?
2Dhjata e Vjetër përfundon me popullin larg Perëndisë. Ka pasur një kohë kur ti je ndjerë larg Perëndisë?
3Kur ke përjetuar konflikt me të tjerët? Pse mendon se konfliktet njerëzore janë kaq të përhapura?
4Cilat ishin disa nga kufizimet e fesë në Dhjatën e Vjetër?
5A beson se Jezusi është në gjendje të të pajtojë me Perëndinë dhe të të sjellë paqe? Pse ose pse jo?
Next Session

Details

SCRIPTURE Malakia 4:1-6

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.