Kolosianëve 3:1-17
Kur një person beson në Jezu Krishtin, jeta e Perëndisë hyn në shpirtin e tij ose të saj me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë. Pa këtë, jeta e krishterë do të ishte e pamundur. Diku në luginat e dobësisë, konfliktit dhe vuajtjeve, do të rëndohesh përtej fuqive të tua.
Pali e theksoi këtë kur u shkroi të krishterëve që jetonin në Kolos. Ata ishin ndikuar nga mësues, të cilët u kishin dhënë kaq shumë rëndësi rregullave dhe vetëdisiplinës, saqë nuk po e kuptonin më jetën e re që Perëndia i jep çdo personi që vjen në besim te Jezusi.
Kur ti erdhe në besim te Jezu Krishti, personi që ishe dikur, nuk është më: “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, është një krijesë e re; të vjetrat shkuan; ja, të gjitha u bënë të reja!” (2 e Korintasve 5:17). E thënë haptazi, Pali shkroi: Ju “keni vdekur” (Kolosianëve 3:3).
Ky është lajm i mirë dhe duhet të vijë si një lehtësim i madh. Bibla e bën të qartë se personi që ti ishe para se të vije te Krishti, ishte në armiqësi me Perëndinë dhe i paaftë që ta mposhtte tërheqjen e fortë të mëkatit (Efesianëve 2:3; 4:18). Ai person ishte në errësirë dhe po shkonte drejt ndëshkimit përfundimtar të Perëndisë.
Por kur ti i besove Jezusit, ai person vdiq. Pali tha: “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë” (Galatasve 2:20). Kur ti besove në Jezusin, personi që ishte caktuar të merrte gjykimin e Perëndisë, pushoi së ekzistuari.
Perëndia të ka bërë një person të ri dhe të ka dhënë një identitet të ri në Jezu Krishtin. Ti je një krijesë e re (2 e Korintasve 5:17). “U ringjalle me Krishtin” (Kolosianëve 3:1). Krishti rron në ty (Galatasve 2:20).
Ekziston një ndryshim i madh mes të pikturuarit të një zogu mbi një vezë, dhe çeljes së një zogu nga një vezë. Zogu i pikturuar është artificial. Është thjesht i pikturuar mbi lëvozhgën e vezës. Ndërsa zogu i dalë nga veza është i gjallë. Ai është në gjendje të lëvizë dhe të jetojë.
Kur besove në Jezusin, Fryma e Shenjtë e pushtoi jetën tënde. Perëndia të bëri të gjallë dhe të aftësoi që të reagosh ndaj Tij. Ti je një person i ri. Fuqia e Perëndisë është duke punuar në ty, duke të të dhënë aftësinë për ta jetuar jetën e krishterë.
Jeta jote e re ka filluar, por ende nuk është e plotë. “Jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë” (Kolosianëve 3:3). “Ende nuk është shfaqur ç’do të jemi” (1 e Gjonit 3:2). Një pemë duket e zhveshur në dimër, por kur vjen pranvera, jeta e saj shpërthen në një shfaqje bukurie. Është e njëjta pemë, por mjaft ndryshe, sa mezi e njeh.
Kështu do të jetë me çdo të krishterë. Jeta e Perëndisë është në ty, por lavdia e saj është e fshehur, derisa Jezusi të kthehet përsëri. Tani është dimër, por pranvera po vjen. Dhe kur Krishti të vijë, “ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të” (Kolosianëve 3:4). Një nga gëzimet e mëdha të qiellit do të jetë që të shohim dhe të admirojmë atë që Perëndia ka bërë në jetën e çdo besimtari.
Mrekullia e lindjes së re bën të mundur të jetuarit e jetës së re.
“Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin,” thotë Pali, “kërkoni ato gjëra që janë lart” (Kolosianëve 3:1). Ti ke fuqinë për të vendosur se cilat janë ndjenjat e dashura që mbizotërojnë në zemrën tënde. Ti mund të zgjedhësh se cilat janë gjërat që do t’i duash më shumë.
Në të kaluarën shtyheshe nga impulset e mendjes dhe të zemrës tënde, që ishin përtej kontrollit tënd. Por tani je një njeri i ri. Perëndia të ka dhënë aftësinë për ta kontrolluar zemrën dhe mendjen tënde, dhe mund të të duhet ca kohë që të mësohesh me këtë.
Imagjino sikur ke punuar për të njëjtin shef për tridhjetë vjet. Le ta quajmë atë Fredi. Çdo mëngjes kur shkon në punë, ti takohesh me Fredin dhe ai të thotë se çfarë të bësh.
Pastaj, një ditë, pronari i kompanisë kërkon të të takojë. Ai të thotë se ka plane të mëdha për ty. Të hënën do të kesh një zyrë të re dhe do të kesh një pozicion të ri.
Teksa vjen në punë në ditën e parë të pozicionit të ri, ti kupton se nuk do të të duhet më të marrësh urdhra nga Fredi. Pastaj kupton se, në fakt, tani e tutje, Fredit do t’i duhet të marrë urdhra nga ti. Mbas tridhjetë vitesh të duhet pak kohë sa të mësohesh me këtë.
Ka shumë mundësi që në muajt në vijim të ndodhin dy gjëra. Së pari, Fredi do të vazhdojë të të thotë se çfarë duhet të bësh. Ai do të vazhdojë të mendojë për veten si shefi yt, edhe pse nuk është më kështu. Së dyti, instikti yt i parë do të jetë që të dëgjosh se çfarë të thotë Fredi, dhe të bësh atë që ai të kërkon. Ti e ke konsideruar Fredin si shefin tënd për kaq shumë kohë, saqë është e vështirë që ti ta thyesh këtë zakon.
Mbas gjashtë muajsh në pozicionin tënd të ri, pronari kërkon të të takojë sërish. “Ka një problem për të cilin duhet të bisedojmë,” thotë ai. “Po ia vë veshin më shumë se ç’duhet Fredit. Nëse do ta kishim dashur atë në drejtim, do t’ja kishim dhënë atij këtë mundësi pune. Por ne ta dhamë ty.”
“Duhet t’i përshtatesh pozicionit të ri të punës,” vazhdon ai. “Fredi do të vazhdojë të bëjë sugjerimet e tij, por ti nuk je i detyruar t’i zbatosh ato. Ne të kemi dhënë ty autoritet. Mëso ta përdorësh atë. Tani e tutje, Fredi do të bëjë atë që ti i thua.”
Perëndia të ka vendosur në një pozitë të re autoriteti mbi impulset e mendjes dhe zemrës tënde. Në të kaluarën, ato të shtynin andej-këtej dhe të thoshin se çfarë duhej të bëje. Por tani ti je në një pozitë ku mund t’i japësh drejtim zemrës dhe mendjes tënde. Gjysma e betejës është të dish se ti e ke autoritetin ta bësh këtë.
Nëse do që të jetosh një jetë të efektshme të krishterë, ti duhet të kuptosh identitetin tënd të ri. Personi që ishe më parë, ka pushuar së ekzistuari. Ti je një krijesë e re në Jezu Krishtin. Perëndia të ka vendosur në një pozitë të re autoriteti. Mëkati do të jetë gjithmonë armiku yt, por ai nuk do të jetë më zotëria yt (Romakëve 6:14).
Kur Krishti të shfaqet, edhe ti do të shfaqesh bashkë me Të në lavdi. Por para se të arrijmë te lavdia, ka edhe një luginë tjetër, përmes së cilës duhet të kalojmë.
1 Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin, kërkoni ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.
2 Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi tokë,
3 sepse keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.
4 Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.
5 Vrisni, pra, gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, papastërtinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;
6 për shkak të këtyre zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,
7 midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to.
8 Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërimin, inatin, mbrapshtinë, sharjen, të folurit e pandershëm prej gojës juaj.
9 Mos gënjeni njeri-tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij,
10 edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi,
11 ku nuk ka më grek e jud, rrethprerje dhe parrethprerje, barbar e skithas, skllav e të lirë, por gjithçka dhe në të gjithë Krishtin.
12 Vishni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur: përdëllim dhembshurie, mirësi, përulësi, zemërbutësi, zemërgjerësi,
13 duke duruar njeri-tjetrin dhe duke falur njeri-tjetrin, në qoftë se dikush ka ankesë kundër një tjetri; sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.
14 Dhe, përmbi të gjitha këto, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.
15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!
16 Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njeri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!
17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë.
Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.
Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.