Ngjita Image

Ngjita

Ngjita

Sovran

MARKU 4:35-41 / 5:1-20

Kur isha rreth pesë vjeç, babai im më çoi në një varrezë makinash jashtë Edinburgut. Vendi ishte i mbushur me pjesë makinash dhe kamionësh të prishur, dhe ishte një vend i mrekullueshëm për të luajtur për një fëmijë me një imagjinatë gjallëruese.

Babai shkonte atje për të marrë pjesë këmbimi që i duheshin për makinën tonë. Sistemi ishte i thjeshtë: Ti mund të çmontoje pjesët që të nevojiteshin nga makinat dhe më pas paguaje kur largoheshe tek dalja. Problemi ishte se disa njerëz e kishin zakon t’i hidhnin pjesët që dëshironin nga gardhi rrethues, pastaj largoheshin pa paguar, dhe më pas shkonin dhe i merrnin pjesët jashtë gardhit.

Kështu që pronarët caktuan një “zonë të ndaluar” brenda perimetrit dhe morën qen roje që ruanin brenda gardhit rrethues. Për sa kohë që nuk i’u afroje gardhit, ti ishe krejtësisht i sigurt. Një ditë kur babai im po punonte me një makinë të aksidentuar, unë gjeta një kamion dhe hyra tek kabina. Në atë moment isha i humbur në një botë imagjinare duke ngarë kamionin, kur papritmas njëri prej qenve u lirua nga zinxhiri i tij dhe po vraponte drejt meje.

Nuk mendoj se kam qenë ndonjëherë më i tmerruar në jetën time. Unë bërtita si do të bënte çdo fëmijë i vogël. Babai im erdhi me vrap, mori një shkop, dhe pas një beteje e mundi qenin. Babai im më shpëtoi duke e nënshtruar qenin. Nëse ai nuk do të ishte në gjendje ta nënshtronte qenin, ai nuk do të ishte në gjendje të shpëtonte djalin e tij.

Krishti është në gjendje të na shpëtojë nga armiqtë tanë, sepse Ai është sovran mbi ta dhe është në gjendje t’i nënshtrojë ata. Fakti që Ai është Zot e kualifikon atë të veprojë si Shpëtimtari ynë. Kjo është arsyeja pse Shkrimi thotë: “Sepse kushdo, që do ta thërrasë emrin e Perëndisë, do të shpëtohet” (Romakëve 10:13). Atëherë, cilët janë armiqtë nga të cilët kemi nevojë për shpëtim?

Dimensionet e Errësirës Njerëzore

Bota jonë është e mbushur me ato që ne ndonjëherë i quajmë “katastrofa natyrore”: tërmete, rrëshqitje të tokës, vullkane, stuhi, zjarre dhe përmbytje. Ne jemi gjithashtu të ndikuar nga ligësia njerëzore—të shtëna me armë në shkollë, vrasje bandash, akte terrorizmi, trafikim i njerëzve—lista vazhdon dhe vazhdon. Sa herë që ndodh një akt tjetër mizor, ne pyesim: “Si mund ta kishim ndaluar atë dhe si mund të sigurohemi se nuk do të ndodhë përsëri?”

Pavarësisht të gjitha mrekullive të shkencës së mjekësisë, për të cilat jemi thellësisht mirënjohës, ne ende përballemi me sëmundjen e kancerit, iktusin, dhe sëmundjet e zemrës. Gjë që na përball me atë që Bibla e përshkruan si armikun tonë të fundit—vdekjen. Kushdo që ka qenë afër saj me humbjen e një njeriu të dashur e di se çfarë armiku i tmerrshëm është.

Lajmet tona mbizotërohen nga këto katër dimensione të errësirës: katastrofat natyrore, ligësia njerëzore, sëmundjet dhe vdekja. Për të gjitha gëzimet e kësaj jete, ne e gjejmë veten duke pyetur: “Kush do të na çlirojë? Kush ka autoritetin të nënshtrojë fuqitë shkatërruese që sjellin një errësirë ​​të tillë?”

Zot mbi Katastrofat Natyrore 

Marku shkruan për katër histori që ilustrojnë sovranitetin e Jezusit mbi të gjitha dimensionet e errësirës njerëzore. Çdo histori na tregon se Jezusi është Zot, dhe për këtë arsye ne mund t’i besojmë atij si Shpëtimtar. Gjithçka filloi një mbrëmje, kur dishepujt u gjetën në mes të një stuhie, ndërsa po kalonin Detin e Galilesë me një varkë. Jezusi kurrë nuk premton një jetë pa stuhi: “Në botë do të keni shtrëngim” (Gjoni 16:33). Me “shumë mundime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22)

Kur erdhën telashet, dishepujt supozuan se Jezusi nuk interesohej për ta: ”Mësues, a nuk shqetësohesh që ne po marrim fund?” (4:38). Por Jezusi “e qortoi erën dhe i foli detit: ‘Pusho, fashitu!’. Dhe era pushoi dhe u bë bunacë e madhe” (4:39). Shpirti njerëzor nuk ka fuqi mbi elementet. Ne nuk kemi fuqi mbi shiun, tornadon, vullkanin, ose tsunamin. Por kur Jezusi foli, Ai e qetësoi stuhinë.

Zot mbi Demonët

Kur Jezusi dhe dishepujt e tij arritën në anën tjetër të liqenit, ata menjëherë u ballafaquan me një burrë që nuk ishte në mëndjen e duhur. Ai jetonte midis varreve, dhe natë e ditë ai bërtiste dhe priste veten me gurë (5:5).

Ky njeri ishte armiku publik numër një, dhe kur autoritetet lokale e fusnin në burg, ai “gjithnjë i këpuste zinxhirët dhe i thyente prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap” (5:4). Kështu që i gjithë komuniteti jetonte me frikë. Çdo natë ata e dëgjonin këtë burrë duke bërtitur nëpër kodra, dhe nuk kishte asgjë që ata mund të bënin për ta ndaluar.

Ishte e qartë nga Shkrimet e Shenjta se shpirtrat e ligë (ose demonët) qëndronin pas këtyre manifestimeve të mëdha të dhunës (5: 8, 13). Ky nuk është rasti me çdo person të dhunshëm ose vetëshkatërrues, por ishte kështu me këtë njeri. Jezusi e përshkroi djallin si një hajdut i cili vjen “për të vjedhur, për të vrarë dhe shkatërruar” (Gjoni 10:10), dhe aty ku vjedhja, vrasja dhe shkatërrimi janë më të shfrenuara, atje mund të shihet më qartë veprimtaria e tij.

Kur Jezusi erdhi në këtë komunitet, Ai urdhëroi shpirtrat e ligë të largoheshin nga njeriu dhe të hynin në një tufë derrash. Shpirtrat e këqij duhej t’i bindeshin Atij, dhe kur ata u larguan nga njeriu, ai u ndryshua plotësisht. Sapo njerëzit në qytet morën vesh, ata dolën për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe gjetën njeriun që ishte pushtuar nga demonët të “ulur, të veshur, dhe me mendje në rregull” (Marku 5:15).

Zot mbi Sëmundjet 

Kur Zoti u kthye në anën tjetër të liqenit, një turmë e madhe po e priste. Midis tyre ishte një grua që kishte vuajtur shumë, e cila “kishte një rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh” (5:25). Ajo kishte shpenzuar gjithçka që kishte në konsultime me mjekë të ndryshëm, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, gjendja e saj nuk ishte përmirësuar.

Kjo grua mendonte se nëse do të kishte mundësinë vetëm t’i afrohej Jezusit, ajo do të shërohej. Kur ajo arriti ta prekte Atë, ajo menjëherë e kuptoi se ndodhi një ndryshim në trupin e saj: “menjëherë iu tha burimi i gjakut të saj dhe ajo kuptoi në trupin e vet se u shërua nga sëmundja” (5:29). Herët a vonë, çdo person arrin në pikën ku nuk ka asgjë më shumë që mjekët mund të bëjnë. Dhe ky ishte pozicioni në të cilin ndodhej kjo grua. Ai është Zot mbi sëmundjen.

Zot mbi Vdekjen 

Një kryetar i sinagogës me emrin Jair shkoi tek Jezusi dhe iu lut Atij me zemër të hapur: “Ime bijë është duke mbaruar; eja vëri duart mbi të që të shpëtojë dhe të jetojë” (5:23). Jezusi shkoi me të, por pati një vonesë ndërsa Ai i shërbeu gruas me sëmundjen e pashërueshme.

Ndërsa Ai po fliste me të, disa burra nga shtëpia e Jairit erdhën me lajmin tragjik se vajza e tij kishte vdekur. “Pse e bezdis akoma mësuesin?” thanë ata (5:35). E kupton arsyetimin e tyre: për sa kohë që vajza ishte gjallë, ekzistonte një farë shprese që Jezusi ta shëronte, por kur ajo vdiq e gjitha shpresa ishte zhdukur.

Por Jezusi i tha Jairit, “Mos ki frikë, vetëm beso” (5:36). Kur Jezusi vajti në shtëpinë e Jairit, procesi i zgjimit kishte filluar tashmë. Ai i nxorri jashtë nga shtëpia njerëzit që po vajtonin, dhe qëndruan vetëm babai dhe nëna e vajzës, së bashku me Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin. Jezusi mori duart e vajzës dhe tha: “Talitha kumi,” që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, po të them ty: Ngrihu!” (5:41). Për habinë absolute të të gjithëve në dhomë, “vajza u ngrit dhe filloi të ecë” (5:42).

Për këdo që ka humbur një të dashur, modeli i kësaj historie është i bukur dhe i thellë. Vajza e Jairit ishte e sëmurë. Pati një vonesë në mbërritjen e Jezusit. Vajza vdiq gjatë vonesës. Por kur Jezusi erdhi, ajo u ringjall prej së vdekurish. Jezusi po na jep mundësinë t’i hedhim një vështrim të shkurtër bekimit të plotë që do të njohim kur të vijë mbretëria e Tij. Në këtë botë do të ketë vdekje dhe do të ketë vonesë. Ringjallja do të vijë kur Jezus Krishti të rikthehet me fuqi dhe lavdi.

Pse Nuk e Bën Ai Këtë?

Jezusi është sovran mbi të gjitha dimensionet e errësirës njerëzore. Ai është në gjendje të nënshtrojë katastrofën, demonët, sëmundjet, dhe madje edhe vdekjen. Si Zot mbi këta armiq të racës njerëzore, Ai është në gjendje të na shpëtojë nga fuqia e tyre shkatërruese.

Atëherë pse nuk e bën Ai një gjë të tillë? Marku na jep përgjigjen. Kur Jezusi e çliroi njeriun e pushtuar nga demonët, “ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre” (5:17).

Ti mund të mendosh se ata mund t’i kishin thënë, “Ti ke zgjidhur problemin tonë më të madh shoqëror në këtë komunitet. Të lutem qëndro, sepse kemi probleme të tjera? Dhe nëse mund të zgjidhje këtë, mund të japësh zgjidhje edhe për probleme të tjera”. Por ky nuk ishte reagimi i tyre. Ata i kërkuan Jezusit të largohej. Kështu që Jezusi u largua.

Por nëse ai që është në gjendje të nënshtrojë qenin largohet nga varreza e makinave, çfarë do të ndodhë me djalin?

Mbretërimi dhe Pritja

Ne jetojmë në një botë që e refuzon Krishtin: “Erdhi te të vetët dhe të vetët nuk e pranuan” (Gjoni 1:11).

Refuzimi i Jezusit çoi në kryq, që ishte shprehja përfundimtare e përbuzjes së botës sonë për Perëndinë. Ne e refuzuam Zotin e lavdisë. Ne e përqeshëm, e pështymë, dhe e gozhduam Atë në një kryq. Një botë që refuzon Jezusin, është një botë që vazhdon të dhemb nën mallkimin e katastrofave, demonëve, sëmundjeve dhe vdekjes.

Por ky nuk është fundi i historisë së Biblës. Ditën e tretë, Jezusi u ringjall prej së vdekurish. Kur Ai u ngrit në qiell, Ati i tha: “Ulu në të djathtën time, gjersa t’i vë armiqtë e tu stol të këmbëve të tua” (Hebrenjve 1:13).

Jezusi po mbretëron, por Ai gjithashtu po pret. Mbretërimi dhe pritja nuk janë në konflikt. “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja” (1 Korintasve 15: 25-26).

Kështu që ne vazhdojmë të jetojmë në një botë të rrezikshme që vuan nën mallkimin e katastrofave, demonëve, sëmundjeve, dhe vdekjes. Por ata që i përkasin mbretërisë së Jezus Krishtit, presin ditën kur Ai do t’i vërë të gjithë këta armiq nën këmbët e Tij. Nën sundimin e bekuar të Zotit tonë sovran, nuk do të ketë më fatkeqësi, demonë, sëmundje dhe as vdekje.

Një Shteg i Hapur

Ndonjëherë dëgjoj njerëz të thonë se ata e kanë pranuan Jezusin si Shpëtimtarin e tyre, por nuk e kanë bërë Atë Zot të jetës së tyre. Supozimi është që ne mund ta veçojmë disi Shpëtimtarin nga Zoti—që ne mund të kemi besim pa pendim, bekime pa urdhërime, dhe faljen e mëkateve pa ndjekur shenjtërinë.

Ky është një keqkuptim thelbësor i Ungjillit. Ne nuk mund të marrim atë që Jezusi ofron dhe në të njëjtën kohë të rezistojmë atë që Ai urdhëron. Perëndia na thërret të heqim dorë nga rezistenca jonë ndaj sundimit të Krishtit dhe të marrim shpëtimin e Tij. “Sepse kushdo, që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Romakëve 10:13). Nënshtroju Krishtit si Zot dhe do të zbulosh se Ai është një Shpëtimtar i fuqishëm.

Marku 4:35-41 

Jezusi e fashit fortunën

35 Dhe po atë ditë, kur erdhi mbrëmja, u tha atyre: ”Kalojmë matanë!

36 Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, siç ishte në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

37 Dhe u bë një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo u mbush.

38 Dhe ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ”Mësues, a nuk shqetësohesh që ne po marrim fund?”.

39 Dhe ai si u ngrit, e qortoi erën dhe i foli detit: ”Pusho, fashitu!”. Dhe era pushoi dhe u bë bunacë e madhe.

40 Atëherë u tha atyre: ”Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?”.

41 Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: ”Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?”.

Marku 5:1-20

I demonizuari gadarenas

1 Dhe arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e gadarenasve.

2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë nga varrezat i doli përpara një njeri me një frymë të ndyrë,

3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s’kishte mundur ta lidhte, qoftë edhe me zinxhirë.

4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i këpuste zinxhirët dhe i thyente prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.

5 Dhe vazhdimisht, natën dhe ditën, ishte nëpër male e nëpër varre, duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.

6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,

7 dhe me një britmë të madhe tha: ”Ç’ka midis meje dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!”.

8 Sepse ai i kishte thënë: ”Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!”.

9 Atëherë Jezusi e pyeti: ”Si e ke emrin?”. Dhe ai u përgjigj duke thënë: ”Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë”.

10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga krahina.

11 Tani aty, në brinjë të malit, ishte një tufë e madhe derrash që kulloste.

12 Atëherë gjithë demonët e lutën duke thënë: ”Na dërgo te derrat, që të hymë tek ata”.

13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë, frymërat e ndyra pasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afro dy mijë krerë, dhe u mbytën në det.

14 Atëherë ata, që i kullotnin derrat, morën arratinë dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.

15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin, atë që kishte pasur Legjonin, ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.

16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të demonizuarit dhe në lidhje me derrat.

17 Atëherë ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.

18 Kur ai po hipte në barkë, ai që kishte qenë i demonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;

19 por Jezusi nuk e lejoi, madje i tha: ”Shko në shtëpinë tënde, te të tutë dhe u trego atyre sa bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty”.

20 Dhe ai shkoi dhe nisi të shpallë nëpër Dekapolis për sa i kishte bërë Jezusi; dhe të gjithë u mrekulluan.

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

1Për cilin nga katër armiqtë (katastrofa, demonët, sëmundjen, vdekjen) shqetësohesh më shumë tani? Pse?
2Si të ndihmon të dish se Jezusi është Zot mbi këtë armik?
3Çfarë e kualifikon Jezusin të jetë Shpëtimtari yt?
4Me fjalët e tua, përse Jezusi nuk i mund të gjithë armiqtë tanë tani?
5Si reagon ndaj premtimit që “kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Romakëve 10:13)?
Next Session

Details

SCRIPTURE MARKU 4:35-41 / 5:1-20

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.