Rrugëtimi Image

Rrugëtimi

Rrugëtimi

Pritja

Veprat 1:12-26

Dishepujt u kthyen në Jerusalem duke reflektuar për gjithçka kishin përjetuar dhe duke pritur gjithçka që do të ndodhte. Jezusi u kishte thënë që të prisnin në Jerusalem derisa të merrnin dhuratën e premtuar të Frymës së Shenjtë. Sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh” (Veprat 1:5).

Fjala pagëzoj, fjalë për fjalë, do të thotë “të zhytesh” ose “të lagesh plotësisht”. Në kishën e hershme besimtarët pagëzoheshin në lumenj. Ata zhyteshin nën ujë, ose u derdhej ujë mbi kryet e tyre.

Jezusi tha se pagëzimi duhej të bëhej “në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë” (Mateu 28:19). Pagëzimi është një tablo e jetës së krishterë, e cila ka të bëjë me të qenët “i lagur”  në Atin, “i zhytur” në Birin dhe “i kredhur” në Frymën.

Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë përshkojnë çdo pjesë të jetës së një besimtari. Nuk mund ta ndash njërin nga tjetri. Fryma të tërheq te Biri. Biri të sjell tek Ati. Ati dhe Biri e derdhin Frymën në zemrën tënde. Askush nuk mund ta njohë Atin pa njohur Birin, dhe askush nuk mund të vijë te Biri, përveçse me anë të Frymës.

TË REAGOSH NDAJ NJË MISTERI 

Bibla e bën të qartë se ekziston një Perëndi, dhe se Ai është Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Nuk mund ta kuptojmë dot natyrën e Perëndisë dhe kjo nuk është çudi. Them se peshqit kanë një kuptim shumë të kufizuar të natyrës njerëzore, dhe në të njëjtën mënyrë është përtej kufijve të zgjuarsisë njerëzore që ne të kuptojmë plotësisht natyrën e Perëndisë.

Natyra e Perëndisë mund të jetë mister, por jo kontradiktë. Kontradiktë do të ishte nëse të krishterët do të besonin se ekziston një Perëndi dhe se ekzistojnë tre Perëndi. Por të thuash se ka një Perëndi, i cili ekziston në tre persona, nuk është kontradiktë; por mister.

Reagimi i duhur ndaj këtij misteri është ta lësh atë të të çojë në adhurim. Kurrë s’do të jesh në gjendje të kuptosh misterin e natyrës së Perëndisë, ama mund të soditësh me mahnitje shkëlqimin e padepërtueshëm të Perëndisë së vetëm dhe të përjetshëm, i cili është Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë.

SHËRBESA E FRYMËS

Jezusi u tha dishepujve të Tij se, pasi Ai të ngrihej në qiell, prania e Tij do të ishte me ta me anë të Frymës së Shenjtë. Situata e re solli një përparësi të mrekullueshme: prania e Jezusit tani do të ishte me secilin nga dishepujt e Tij në çdo kohë dhe vend. Kësaj po i referohej Jezusi kur tha: “Megjithatë unë ju them të vërtetën: Është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj” (Gjoni 16:7).

Jezusi u tha dishepujve të Tij se Fryma e Shenjtë do të ishte “me” ta, dhe “në” ta (Gjoni 14:17). Këto përshkrime janë të rëndësishme. Fjala me flet për shoqëri. Fryma e Shenjtë është një person, ashtu siç edhe ti je një person. Këtu ka dy identitete të dallueshme dhe ne nuk duhet t’i ngatërrojmë kurrë ato. Një person që nuk arrin ta bëjë dallimin mes vetes dhe Frymës së Shenjtë, është në rrugë e sipër drejt fanatizmit dhe mashtrimit.

MË SHUMË SE NJË MENTOR

Por Jezusi gjithashtu tha se Fryma e Shenjtë do të ishte “në” dishepujt e Tij. Fryma e Shenjtë është më shumë se një mentor që na tregon se çfarë të bëjmë. Nëse duam ta jetojmë jetën e krishterë, kemi nevojë për më shumë sesa disa këshilla dhe inkurajime. Kemi nevojë që prania dhe fuqia e Perëndisë të veprojë brenda nesh.

Shërbesa e Frymës së Shenjtë shkon përtej punës së një pastori, miku, trajneri, apo këshilluesi që mund të jetë në gjendje të hedhë dritë mbi problemet dhe të sugjerojë mënyra të mundshme për të ecur përpara. Fryma e Shenjtë punon  ne. Ai është në gjendje të prekë vendet e thella të shpirtit tënd, ta ripërtërijë mendjen tënde, të ridrejtojë ndjenjat e zemrës, të modelojë dhe riformojë vullnetin, të pastrojë imagjinatën dhe të shërojë kujtesën.

Fryma e Shenjtë mund të krijojë dëshira të reja brenda teje për ta ndjekur Krishtin, jo nga ndjenja e detyrës, por nga një zemër që ka uri dhe etje për drejtësi. Ai mund të të japë fuqinë për të jetuar një jetë të re për lavdinë e Perëndisë.

NËNSHKRUAR, VULOSUR DHE DORËZUAR 

Përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Jezusi ka hapur udhën për gratë dhe burrat mëkatarë që ata të pajtohen me Perëndinë dhe të hyjnë në jetën e përjetshme. Ky është premtimi i Perëndisë. Ai është nënshkruar nga Ati dhe është vulosur me gjakun e Krishtit. Por ajo që është nënshkruar dhe vulosur, ende duhet dorëzuar.

Sot, Fryma e Shenjtë e merr atë që Jezusi ka arritur në kryq, dhe e zbaton atë personalisht te ne. Ai merr atë që Krishti ka bërë të mundur për të gjithë njerëzit, dhe e bën atë një realitet për ty (Gjoni 15:26, 16:14).

Po të mos kishte ardhur Biri i Perëndisë, ti nuk mund të shpëtoheshe. Po të mos kishte ardhur Fryma e Perëndisë, ti nuk do të shpëtoheshe. Pa veprën e Frymës së Shenjtë, shpëtimi do të mbetej një mundësi për të gjithë ne, por nuk do të bëhej kurrë një realitet për asnjërin prej nesh. Nëse nuk do të kishte Frymë të Shenjtë, askush nuk do të mund të shkonte në qiell, dhe gjithçka që Jezusi arriti në kryq, do të ishte si një dhuratë që u ble, por që nuk u pranua kurrë.

Pamja e luginës së gjashtë

Dishepujt kishin përjetuar fuqinë dhe praninë e Frymës së Shenjtë kur Jezusi i dërgoi në shërbesë. Por Fryma e Shenjtë nuk ishte dhënë ende (Gjoni 7:39). Jezusi u tha dishepujve të prisnin në Jerusalem për dhuratën, që Ati kishte premtuar dhe për të cilën Jezusi kishte folur.

Dishepujt nuk pritën gjatë. Vetëm dhjetë ditë pasi Jezusi u ngrit në qiell, fiks pesëdhjetë ditë pas ringjalljes së tij, erdhi dita Rrëshajëve. Historia e asaj që ndodhi atë ditë, na sjell në fillimin e një vargmali krejt të ri.

Veprat 1:12-26

Matia zgjidhet apostull në vend të Judës

12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shabatit.

13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, dhe me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15 Dhe, në ato ditë, Pjetri u ngrit në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16 “Burra vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17 Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte marrë pjesë në këtë shërbesë.

18 Ai, pra, fitoi një arë, me pagën e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën.

19 Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: “Ara e gjakut”.

20 Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!,” dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!.”

21 Duhet, pra, që ndër burrat, që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u mor në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij.”

23 Dhe vunë dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matian.

24 Dhe, duke u lutur, thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25 për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e vet.”

26 Atëherë hodhën short te ta, dhe shorti i ra Matias; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.

1Pasi ke marrë në konsideratë jetën e Jezusit, si ka ndryshuar pikëpamja jote për të? Çfarë ka mbetur njësoj?
Next Session

Details

SCRIPTURE Veprat 1:12-26

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.