Ngjita Image

Ngjita

Ngjita

Adhurimi

1 Mbretërve 18:20-46

Ekziston shpesh një distancë shumë e shkurtër midis triumfit dhe katastrofës. Kur Salomoni zuri vendin e tij në fron, populli i Perëndisë kishte gjithçka që i duhej: një udhëheqje të mençur, unitet të fortë, dhe paqe në tokën e tyre. Prania e Perëndisë kishte zbritur mes tyre gjatë dedikimit të tempullit, por ndërsa koha kalonte, suksesi i Salomonit solli vetë-kënaqësi, dhe fara e katastrofave të ardhme u mboll në vitet e fundit të mbretërimit të tij.

Një Recetë për Katastrofë

Salomoni bëri tre gabime. Së pari, ai i harroi njerëzit që vuanin. Me vëmendjen e mbretit tashmë të fokusuar mbi Jeruzalemin, njerëzit në jug po lulëzonin, ndërsa vëllezërit e tyre në veri po përlesheshin me një program pune të detyruar që i la ata të ndiheshin të anashkaluar. Ndoshta Salomoni mendonte se njerëzit në veri ishin më pak të rëndësishëm, por udhëheqja dritëshkurtër e tij pati pasoja afat-gjata, dhe kur ai i’a kaloi fronin birit të tij Rehoboam, fara e përçarjes ishte mbjellë tashmë.

Së dyti, Salomoni i’u dorëzua vetë-kënaqësisë. Ai kishte pushtet dhe burime pothuajse të pakufizuara, që do të thotë se ai mund të bënte gjithçka që dëshironte. Në vitet e tij të rinisë, ai e shpenzoi kohën, energjinë, dhe pasurinë e tij në përmbushjen e asaj që do i sillte lavdi Perëndisë, por më vonë në jetën e tij, ai e përdori pozitën e tij për të kënaqur veten.

Solomoni kishte 700 gra dhe 300 konkubina (1 Mbretërve 11:3), dhe kjo vetëkënaqësi ishte rrënja e rënies së tij. “Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij” (11:4).

Së treti, Salomoni zgjodhi të bënte atë që kishte famë, në vend të asaj që ishte e drejtë. Duke qënë se ishte martuar me kaq shumë gra të huaja, ai i’u nënshtrua presionit për tu ndërtuar altarë perëndive që ato adhuronin. “Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre” (1 Mbretërve 11:7-8).

Ky ishte fillimi i idhujtarisë skandaloze të popullit të Perëndisë. Në krye të mbretërimit të Salomonit, Jeruzalemi ishte vendi ku Perëndia i gjallë kishte vendosur emrin e Tij, por nga fundi, Jeruzalemi ishte mbushur me faltore të perëndive të tjerë. Një vizitor që mund të shkonte në Jeruzalem, mund të nxirrte konkluzionin se Perëndia i Izraelit ishte një ndër shumë të tjerët.

Salomoni bëri gjëra të mëdha për Perëndinë në gjysmën e parë të jetës së tij, por ai bëri të kundërtën e shumicës së veprave të mira, duke ndjekur vetë-kënaqësinë gjatë viteve të fundit të jetës së tij. Ai mori në dorëzim nga ati i tij, Davidi, një mbretëri të bashkuar dhe në paqe, ndërsa ai vetë i kaloi të birit një mbretëri e cila shumë shpejt do përçahej dhe do ishte në luftë.

Kur Rehoboami u bë mbret, ai u përball me pakënaqësi nga ana e popullit të tij në veri. Ata panë një udhëheqës tek Jeroboami, u mblodhën rreth tij, dhe e kurorëzuan mbret. Kështu ndodhi që dhjetë fiset në veri u shkëputën nga linja e Davidit, të cilën Perëndia kishte premtuar ta bekonte.

Historia në Veri

Jeroboami ishte një udhëheqës mendjemprehtë i dhjetë fiseve veriore, dhe ai e njihte mirë fuqinë e besimit fetar. Ai parashikoi se nëse besimtarët nga veriu do të vazhdonin të shkonin në Jeruzalem për të adhuruar në tempull, ata do të kujtoheshin për unitetin me vëllezërit e tyre në jug.

Kështu Jeroboami vendosi të ngrinte qendrën e tij të adhurimit. Ai bëri dy viça prej ari dhe u tha njerëzve: “Është shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!” (1 Mbretërve 12:28). Këto ishin të njëjtat fjalë që Aroni kishte përdorur kur ai bëri viçin e artë në shkretëtirë (shih Eksodi 32:8).

Më e keqja erdhi më pas. Jeroboami i’a kaloi mbretërinë birit të tij Nadab, i cili eci në gjurmët e të atit deri sa u vra nga Baasha. Pasardhësi i tij ishte Elahu, i cili ishte pijanec e vrasës. Pastaj ishte Zimri, i cili ishte fajtor për tradhëti dhe mbretërimi i të cilit zgjati vetëm 7 ditë, e më pas Omri, që “u suall më keq se të gjithë pasaardhësit e tij” (1 Mbretërve 16:25). Në fund, ishte Ashabi, i cili ia kaloi edhe Omrit dhe “bëri atë që ishte e keqe në sytë e Zotit më tepër se ata që e kishin paraprirë” (16:30). Ashabi u martua me Jezebelën, e cila e përdori pushtetin e pallatit mbretëror për të filluar një fushatë persekutimi, gjatë së cilës profetët e Perëndisë u ndoqën dhe u vranë.

Në vetëm 50 vjet pas vdekjes së Salomonit, Izraeli kishte ndryshuar deri në atë pikë sa nuk njihej më. Në fillim të mbretërimit të Salomonit, mbreti tha, “Ka vetëm një Perëndi.” Në kohën e Jeroboamit, qëndrimi zyrtar ishte “ka shumë perëndi,” dhe kur erdhi koha e Ashabit, ishte e papranueshme të thoje se ka vetëm një Perëndi, dhe ata që e bënin këtë, persekutoheshin në mënyrë të dhunshme. Kështu që Perëndia dërgoi profetin Elia për të restauruar adhurimin e vërtetë ndërmjet popullit të Tij.

Adhurimi Autentik është një Përgjigje ndaj të Vërtetës së Zbuluar

Mali Karmel ishte skena e një ballafaqimi të madh. Ashabi dërgoi 450 profetë të Baalit dhe 400 profetë të Asherahut, së bashku me njerëz nga i gjithë vendi (1 Mbretërve 18:19). Kur të gjithë u mblodhën, Elia e sfidoi popullin me një pyetje: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë” (18:21).Elia nuk iu drejtua traditës; ai bëri thirrje për të vërtetën. Arsyeja e vetme për të adhuruar Perëndinë është se Ai është Zoti.

Askush nuk ka të drejtë të të thotë se ti duhet të jesh i Krishterë sepse prindërit e tu ishin të Krishterë, apo sepse Krishterimi është feja dominuese në kulturën tënde. Krishterimi qëndron ose bie në bazë të deklaratës se është i vërtetë. “Nëse Zoti është Perëndia, shko pas Tij.”

Pyetja e Elias ishte një supozim për kategorinë e të vërtetës dhe të gabuarës, por populli e kishte të vështirë të mendonte e gjykonte në këtë mënyrë. Ata ishin rritur me idenë se Perëndia që ti adhuron është një zgjedhje personale, se besimi është çështje private, dhe se çdo individ duhet të gjejë një mënyrë adhurimi që i përshtatet atij ose asaj. Por përpara se të adhurosh, ti duhet të dish se kush është Perëndia. Adhurimi autentik është një përgjigje ndaj të vërtetës së zbuluar. Adhurimi publik duhet të ndërtohet rreth së vërtetës. Ne duhet të këndojmë për të vërtetën, të lexojmë të vërtetën, të lutemi rreth të vërtetës, dhe të predikojmë të vërtetën.

Adhurimi Autentik Përqëndrohet tek Perëndia i Gjallë

Elia dëshironte që populli të dinte se ka vetëm një Perëndi të gjallë, ndaj ai i ftoi profetët e Baalit të përgatisnin një flijim, dhe ti luteshin Baalit t’u përgjigjej duke dërguar zjarr tek ta. Profetët e Baalit e pranuan sfidën dhe i thirrën perëndisë së tyre. “O Baal, na dëgjo!” (18:26). Ata kërcyen rreth altarit dhe kishin një sjellje të shfrenuar. Ajo që filloi si diçka e ndritshme dhe plot ngjyra, shpejt u kthye në diçka të errët, dhe një element më i lig u shtua. Profetët e Baalit filluan të “presin veten” (1 Mbretërve 18:28), duke i’u nënshtruar një agonie të vetë-shkaktuar, përpara se të ishin gati të pranonin humbjen.

Por pas gjithë këtij aktiviteti intensiv “nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin” (18:29). Adhurimi i Baalit nuk ishte asgjë tjetër veçse një shprehje e kotë e vetes. Profetët po flisnin me veten, sepse askush nuk po i dëgjonte.

Adhurimi i Baalit ka përparuar, sepse diku përgjatë historisë njerëzit trilluan legjenda mbi një perëndi të quajtur Baal dhe i shkruan ato. Njerëzit gjithashtu krijuan imazhe të Baalit dhe i gdhendën ato në dru. Por nuk ekzistonte asgjë në adhurimin e Baalit përtej asaj që mendja njerëzore trilloi apo dora njerëzore krijoi. E gjitha ishte thjesht një krijim kulturor, dhe për këtë arsye, nuk kishte fuqi.

Shumë njerëz sot kanë arritur në përfundimin se edhe Krishterimi ka evoluar në të njëjtën mënyrë si adhurimi i Baalit. Ata mendojnë se Bibla është një libër i mbushur me legjenda dhe mite të lashta, dhe meqënëse, siç besojnë ata, është një krijim i kulturës njerëzore, ata ngulin këmbë se ajo nuk ka autoritet. Nëse do të kishin të drejtë në supozimin e tyre, do të kishin të drejtë edhe në konkluzionin e tyre.

Një besim fetar i krijuar nga një kulturë e caktuar nuk duhet t’u imponohet të tjerëve. Një besim fetar që ishte thjesht zgjedhja e një brezi nuk duhet t’i bëhet i detyrueshëm brezit tjetër. Nëse të gjitha besimet fetare janë krijime njerëzore, atëherë asnjëra prej tyre nuk mund ta deklarojë veten si të vërtetë.

Adhurimi Autentik Përqëndrohet mbi një Sakrificë të Pranueshme 

Por Elia e dinte që Perëndia i gjallë nuk ishte krijim i kulturës. Ai dëshironte që njohuria për Perëndinë e gjallë të restaurohej tek populli, ndaj ai ndërtoi një altar dhe e mbyti sakrificën me ujë.

Pastaj Elia u lut: “O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut, dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, e që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd. Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre” (1 Mbretërve 18:36-37).

“Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë” (18:38). Imagjino intensitetin e një zjarri, i cili jo vetëm që djeg drurin, por edhe gurët dhe pluhurin! Kur njerëzit e panë zjarrin, ata ranë përmbys dhe thanë, “Zoti është Perëndia” (18:39).

Përpiqu të imagjinosh veten në mes të turmës. Ti ke besuar si shumica e brezit tënd se çdo besim fetar është njësoj në thelb si një tjetër. Por ndërsa ti sheh Elian të lutet, qielli mbushet me zjarr. Papritmas, është bërë e qartë për ty se Elia po flet të vërtetën. Zoti është Perëndia, dhe tani zjarri i gjykimit të Tij do të zbresë.

Mendo për këtë të vërtetë të mrekullueshme: zjarri i Perëndisë ra mbi sakrificën, jo mbi popullin. Kjo na bën të shikojmë tek kryqi i Jezus Krishtit, mbi të cilin u derdh gjykimi i Perëndisë–jo mbi ushtarët që e kryqëzuan Jezusin, as mbi turmat që e tallën atë, por mbi vetë Jezusin, i cili u bë sakrificë për ne. Gjykimi i Perëndisë ndërroi drejtim duke u larguar nga ne tek Ai, dhe në këtë mënyrë, Perëndia hapi rrugën për njerëzit që të pajtoheshin me Të.

Një Shteg i Hapur

Adhurimi autentik është gjithmonë një përgjigje për të vërtetën e zbuluar. I drejtohet Perëndisë së gjallë, fokusohet te Zoti Jezus Krisht dhe frymëzohet nga Fryma e Shenjtë. Adhurimi i vërtetë do të burojë aty ku e vërteta e Perëndisë shpallet, ku Jezus Krishti lavdërohet, dhe ku populli i Perëndisë i nënshtrohet punës së Frymës së Shenjtë në jetën e tyre.

Nëse do të rritesh në adhurim, hape Biblën dhe lejoje mëndjen tënde të ujitet në atë që Perëndia thotë për Veten. Fryma e Shenjtë do ta përdorë të vërtetën për të stimuluar adhurim në zemrën tënde.

1 Mbretërve 18:20-46

Elia dhe profetët e Baalit në malin Karmel

20 Kështu Ashabi dërgoi e thirri tërë bijtë e Izraelit dhe i mblodhi profetët në malin Karmel.

21 Atëherë Elia iu afrua tërë popullit dhe tha: “Deri kur do të lëkundeni midis dy mendimeve? Në qoftë se Zoti është Perëndia, shkoni pas tij; por në qoftë se përkundrazi është Baali, atëherë ndiqni atë”. Populli nuk tha asnjë fjalë.

22 Atëherë Elia i tha popullit: “Kam mbetur vetëm unë nga profetët e Zotit, ndërsa profetët e Baalit janë katërqind e pesëdhjetë.

23 Le të na jepen dy dema të rinj; ata të zgjedhin një dem për veten e tyre, le ta copëtojnë dhe ta vënë mbi drutë pa i ndezur ato; unë do të përgatis demin tjetër dhe do ta vendos mbi drutë pa i ndezur ato.

24 Ju do t’i bëni thirrje perëndisë suaj dhe unë do të thërres Zotin; perëndia që do të përgjigjet me anë të zjarrit është Perëndia”. Tërë populli u përgjigj dhe tha: “E the bukur!”.

25 Atëherë Elia u tha profetëve të Baalit: “Zgjidhni një dem të ri dhe përgatiteni të parët sepse jeni më shumë; pastaj kërkoni ndihmën e perëndisë suaj, pa e ndezur zjarrin”.

26 Kështu ata morën demin që u dhanë dhe e përgatitën; pastaj përmendën emrin e Baalit nga mëngjesi deri në drekë, duke thënë: “O Baal, na u përgjigj!”. Por nuk u dëgjua asnjë zë dhe asnjeri nuk u përgjigj; ndërkaq ata kërcenin rreth altarit që kishin ndërtuar.

27 Në mesditë Elia filloi të tallet me ta dhe tha: “Ulërini më fort sepse ai është zoti; ndofta është duke menduar thellë, ose është i zënë me punë ose udhëton, ose ka rënë në gjumë e duhet zgjuar”.

28 Dhe kështu ata filluan të ulërijnë më fort dhe të priten me shpata dhe shtiza sipas zakoneve që kishin, deri sa të kullonin gjak.

29 Me të kaluar mesdita, ata bënë profeci deri në kohën që ofrohej blatimi; por nuk u dëgjua asnjë zë, asnjeri nuk u përgjigj dhe askush nuk ua vuri veshin.

30 Atëherë Elia i tha tërë popullit: “Afrohuni pranë meje!”. Kështu tërë populli iu afrau dhe ai ndreqi altarin e Zotit që e kishin prishur.

31 Pastaj Elia mori dymbëdhjetë gurë, sipas numrit të fiseve të bijve të Jakobit, të cilit Zoti i kishte thënë: “Emri yt do të jetë Izrael”.

32 Me gurët ndërtoi një altar në emër të Zotit dhe hapi një gropë rreth tij me një kapacitet prej dy masash gruri.

33 Pastaj rregulloi drutë, copëtoi demin dhe e vuri mbi drutë. Dhe tha: “Mbushni katër enë me ujë dhe i derdhni mbi olokaustin dhe mbi drutë”.

34 Përsëri tha: “Bëjeni një herë të dytë”. Dhe ata e bënë një herë të dytë. Ai tha akoma: “Bëjeni për të tretën herë”. Dhe ata e bënë për të tretën herë.

35 Uji rridhte rreth altarit dhe ai mbushi me ujë edhe gropën.

36 Në orën që ofrohej blatimi, profeti Elia u afrua dhe tha: “O Zot, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, vepro në mënyrë të tillë që të dihet që ti je Perëndi në Izrael, që unë jam shërbëtori yt që i bëra tërë këto gjëra me urdhrin tënd.

37 Përgjigjmu, o Zot, përgjigjmu, që ky popull të pranojë që ti, o Zot, je Perëndia, dhe ke bërë të kthehen te ti zemrat e tyre”.

38 Atëherë ra zjarri i Zotit dhe konsumoi olokaustin, drutë, gurët dhe pluhurin, si dhe thau ujin që ishte në gropë.

39 Para kësaj pamjeje tërë populli u shtri me fytyrën për tokë dhe tha: “Zoti është Perëndia!.

40 Pastaj Elia u tha atyre: “Zini Profetët e Baalit; mos lini t’ju ikë as edhe një!”. Kështu ata i kapën dhe Elia i zbriti në përruan Kishon, ku i theri.

41 Pastaj Elia i tha Ashabit: “Ngjitu, ha dhe pi, sepse dëgjohet që tani zhurma e një shiu të madh”.

42 Kështu Ashabi u ngjit për të ngrënë dhe për të pirë; por Elia u ngjit në majë të Karmelt, u përkul deri në tokë dhe vuri fytyrën midis gjunjëve,

43 dhe i tha shërbëtorit të tij: “Tani ngjitu dhe shiko nga ana e detit!”. Ai u ngjit, shikoi dhe tha: Nuk ka asgjë”. Elia i tha: “Kthehu të shikosh, shtatë herë”.

44 Herën e shtatë shërbëtori tha: “Është një re e vogël, e madhe si pëllëmba e një dore që ngjitet nga deti”. Atëherë Elia tha: “Shko dhe i thuaj Ashabit: “Lidhi kuajt në qerre dhe zbrit para se të të zërë shiu””.

45 Brenda një kohe të shkurtër qielli u errësua për shkak të reve e të erës, dhe ra një shi i madh. Kështu Ashabi hipi mbi qerre dhe shkoi në Jezreel.

46 Dora e Zotit ishte mbi Elian, që shtrëngoi ijet dhe vrapoi para Ashabit deri në hyrje të Jezreelit.

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

1Ku rrezikon më shumë të mbjellësh fara që do të drejtojnë në një të ardhme katastrofike? A mos i ke harruar edhe ti ata që vuajnë? A po e lejon veten ti jepesh vetë-kënaqësisë? A po zgjedh të bësh atë çfarë është me famë, në vend të asaj që është e drejtë?
2Nëse ti nuk ndryshon drejtim, cilat janë disa nga gjërat e mira që ke bërë apo shpreson të bësh të cilat mund të zhbëhen në vitet e fundit të jetës tënde?
3Ku qëndron ose bie Krishterimi?
4A do të thoje se Krishterimi ka evoluar në të njëjtën mënyrë si adhurimi i Baalit? Pse, ose pse jo?
5Kur zjarri i Perëndisë ra mbi sakrificën që Elia përgatiti (dhe jo mbi popullin), si na ndihmon kjo të kuptojmë çfarë ndodhi mbi kryqin e Jezusit?
Next Session

Details

SCRIPTURE 1 Mbretërve 18:20-46

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.