Ngjita Image

Ngjita

Ngjita

Siguri

Romakëve 5:1-11

Imagjino një partneritet biznesi ku të duhet të marrësh vazhdimisht në telefon partnerin tënd dhe ta pyesësh nëse ai apo ajo do të punojë akoma me ty. Ose imagjino një martesë ku nuk je i sigurt nëse burri apo gruaja të do. Të dyja këto marrëdhënie mund të jetohen, por nuk shijohen.

Perëndia dëshiron që ti ta shijosh marrëdhënien tënde me Të, dhe kjo do të thotë që Ai do që ti të kesh siguri në këtë marrëdhënie. Por ka tre pyetje “që e vrasin gëzimin ” e që shpesh ngrihen në mendjen e një të Krishteri. Nëse ti do ta shijosh marrëdhënien tënde me Perëndinë, ti duhet të dish si t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve. Dhe përgjigjet gjenden të gjitha tek Romakëve 5.

1. Pse Po Më Ndodh Kjo? 

Bibla më thotë se kam paqe me Perëndinë, por nëse kjo është e vërtetë, atëherë pse kam kaq shumë telashe në jetën time? Kur përballesh me një problem shëndetësor, një problem familjar, ose ndonjë zhgënjim tjetër në jetë, mund të pyesësh veten pse Perëndia duhet të lejojë që një gjë e tillë të të ndodhë ty.

Perëndia do përdorë gjërat më të vështira në jetën tënde për të arritur diçka me vlerë të madhe: ne “mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin, durimi përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4). Perëndia mund të përdorë dhimbjet më të mëdha në jetën tënde për të të bërë ty më të ngjashëm me Jezusin.

Perëndia nuk ka premtuar kurrë një jetë pa probleme. Jezusi tha, “Në botë do të keni shtrëngim, por merrni zemër, unë e kam mundur botën!” (Gjoni 16:33). Të kesh telashe në jetën tënde, nuk do të thotë që Perëndia është kundër teje. Perëndia është për ne në Krishtin: “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë, si nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?” (Romakëve 8:32).

Të dish këtë të vërtetë do të të mundësojë të ngulmosh edhe në ditët më të vështira të jetës tënde. Ti mund të shikosh tek Perëndia përmes lotëve të tua, por do të jesh në gjendje ta bësh këtë me shpresë. Dhe shpresa jote nuk do të jetë zhgënjyese.

2. A i Intereson Vërtet Perëndisë? 

Pali na thotë se “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8); por si e tregon dashurinë e Perëndisë vdekja e Jezusit?

Ka shumë gjëra që Perëndia mund të na japë e që duket sikur mund ta shfaqin më mirë dashurinë e Tij. Nëse Bibla do thoshte, “Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, Ai na dha një kurë për kancerin,” ne do ta pranonim atë si një shprehje të dashurisë së Tij. Por në ç’mënyrë është vdekja e Jezusit në kryq një manifestim i dashurisë së Perëndisë?

Imagjino një çift duke qëndruar në makinën a tyre një natë me hënë, pranë ujëvarës së famshme të Niagarës. Ai e përqafon dhe i përshpërit në vesh, “Të dua.” Ajo e sheh me dyshim. “Më do me të vërtetë? Ndonjëherë pyes veten nëse është kështu.”

“Në rregull” thotë ai, “do të ta vërtetoj.” Dhe pasi tha këtë, ai zbret nga makina, ecën në buzë të ujvarës, dhe me një lëvizje të vetme hidhet poshtë. Ndërsa bie në humnerë, ai bërtet me të madhe, “Të duaaa…” Kjo mund të jetë një përvojë e paharrueshme, por nuk është një provë dashurie. Vdekja e burrit nuk sjell asnjë përfitim për gruan.

Vdekja e Jezusit është një shprehje dashurie sepse ajo arrin diçka me vlerë të pafund për ne: nëpërmjet vdekjes së Jezusit, borxhi i mëkatit tonë u pagua dhe zemërimi i Perëndisë u qetësua. Perëndia e ka treguar dashurinë e Tij për ne duke na dhënë dhuratën më të madhe në momentin e nevojës tonë më të madhe. Kështu që, kur tundohesh të pyesësh veten nëse Perëndia të do me të vërtetë, mos shiko rrethanat e jetës tënde, por shiko kryqin dhe përqafo atë që Jezusi ka bërë për ty.

3. Si Mund të Jem i Sigurt se do të Arrij në Parajsë? 

Imagjino sikur më në fund ke planifikuar udhëtimin që ke dashur të bësh gjithë jetën tënde. Ke blerë biletat dhe ke bërë të gjitha rezervimet. E vetmja gjë që duhet të bësh është të shkosh në aeroport, por ka akoma shumë gjëra që mund të shkojnë keq! Ti mund të sëmuresh një natë përpara se të nisesh. Mund të rrëzohesh dhe të thyesh këmbën ndërsa zbret nga shkallët. Nuk duhet shumë imagjinatë për të shtuar skenarët e mundshëm që mund të ndodhin.

Kur jemi të shfajësuar ne kemi paqe me Perëndinë. Por çfarë ndodh nëse bëjmë çdo gjë gabim? Ndoshta ti e di si është t’i thuash vetes: Nuk jam i sigurt nëse mund t’ia dal mbanë me këtë jetë të Krishterë! Po sikur tundimet me të cilat përballem të jenë shumë të forta për mua? Po sikur të ndodhë diçka që ta hedhë në erë besimin tim?

Përgjigja e këtyre pyetjeve është se “ne jemi shfajësuar me anë të gjakut të tij” (Romakëve 5:9). Perëndia na shfajëson nëpërmjet gjakut të Jezusit të derdhur mbi kryq. Paqja me Perëndinë nuk është e bazuar mbi asgjë që ti bën apo je. Është e bazuar në diçka tërësisht jashtë teje–në gjakun e Jezusit. Kjo është baza e sigurisë tënde, dhe nëse ti arrin ta kuptosh këtë, kjo do të të ndihmojë të gëzohesh në Perëndinë.

Besimi në Vendin e Duhur 

Nëse do të të pyesnin se si e di që do jesh në parajsë në Ditën e Fundit, si do të përgjigjeshe? Ja tre përgjigje të zakonshme, por jo shumë përshtatshme.

Pyetja: Si e di ti se do jesh në parajsë në Ditën e Fundit?

Përgjigja 1: Unë e dua Jezusin.

Kjo është e mrekullueshme. Por nëse e duam Jezusin atëherë do i mbajmë urdhërimet e Tij (Gjoni 14:15), por fakti që ne nuk u bindemi plotësisht urdhërimeve të Tij tregon se ne nuk e duam Atë plotësisht. Dashuria jonë për Jezusin është e vërtetë, por është e përzjerë me një pjesë të madhe të dashurisë që kemi për veten tonë. Edhe pse është e vërtetë që ne e duam Jezusin, dashuria jonë për Të nuk është bazë e sigurt kur ne të qëndrojmë në prani të Tij Ditën e Fundit!

Përgjigja 2: Unë kam bërë një premtim dhe jam i përkushtuar.

Edhe kjo është e mrekullueshme. Por çfarë ndodh nëse përkushtimi yt për t’i shërbyer Krishtit lëkundet? Çfarë ndodh nëse në 10 vjet entuziazmi yt shuhet? A do të thotë kjo se shanset e tua për të hyrë në parajsë do të pakësohen gjithashtu?

Njerëzit që mendojnë se aktiviteti ose entuziazmi i tyre për Krishtin është baza për hyrjen e tyre në parajsë, shumë shpejt e gjejnë veten nën një barrë shumë të madhe. Çfarëdo që ti bën, niveli i përkushtimit tënd gjithmonë mund të jetë më i lartë, dhe besimtarët që bazohen tek përkushtimi i tyre, janë duke ecur drejt një shuajtje shpirtërore.

Përgjigja 3: Unë kam besim.

Edhe kjo është fantastike. Por sa i fortë është besimi yt? A nuk ka kohë kur ti përleshesh me dyshimin? Mos bëj gabimin të vendosësh besimin në vetë besimin tënd, në vend që të besosh tek Krishti. Besimi i askujt nuk është i lirë nga pyetjet, shqetësimet, dyshimet, apo frikërat. Nëse e ke vendosur besimin tek besimi yt, nuk do të jesh kurrë i sigurt se besimi yt është mjaftueshëm.

A e vure re faktorin e përbashkët në të treja këto përgjigje të papërshtatshme? Ato të gjitha fillojnë me fjalën “Unë.” Unë e dua Jezusin; unë jam i përkushtuar; unë kam besim. Dhe problemi me gjithçka që fillon me “Unë” është se nuk është kurrë i plotë, kurrë ai që mund të jetë, dhe kurrë ai që duhet të jetë.

Puna e Perëndisë në ne ka filluar, por nuk ka përfunduar akoma. Kështu që, ndërsa është një e vërtetë e mrekullueshme që ne e duam Jezusin, që jemi të përkushtuar t’i shërbejmë Atij, dhe kemi besim tek Jezusi, asnjë nga këto gjëra nuk janë siç mund, apo siç ato do të jenë një ditë. Besimi, shërbesa, dhe dashuria jonë për Krishtin janë akoma një punë në progres. Asnjë prej nesh nuk është ashtu si do të jemi, dhe prandaj ne kurrë nuk mund të gjejmë siguri përpara Perëndisë përmes asgjëje në vetvete.  Ka vetëm një terren të fortë sigurie: Ne jemi “shfajësuar nga gjaku i Tij” (5:9).

Pas Krishtlindjeve tona të para në këtë vend, familja jonë bëri një udhëtim në Wisconsin. Gjetëm rrugën deri në Fond du Lac, ku u ndalëm pranë liqenit për të parë përreth. Nuk kishim përjetuar kurrë aq ftohtë më parë. Djemtë tanë, të cilët ishin vetëm dhjetë dhe tetë vjeç në atë kohë, thanë: “Babi, a mund të shkojmë mbi akull?” Prindërit e dinë që kur nuk je duke menduar, jep atë përgjigjen standarte që jep në përgjithësi. Edhe në Angli është ftohtë, por jo aq ftohtë, dhe kështu që kur ka akull, shpesh është i hollë. Prandaj, unë thashë: “Po, por bëni shumë kujdes.”

Na imagjino ne që aventuroheshim mbi akull duke ecur me kujdes të madh e duke përparuar me nervozizëm, kur papritmas u dëgjua zhurma e fortë e një motori, dhe një automjet me të paktën gjashtë nxënës të shkollës së mesme u afruan duke bërtitur mbi liqen. Nuk mendoj se jam ndjer ndonjëherë kaq qesharak.

Ndërsa ecnim ngadalë mbi akull, kishim shumë pak besim, por ishim plotësisht të sigurt. Akulli mbi të cilin qëndronim ishte jashtëzakonisht i fortë. Dhe siguria jonë nuk qëndronte mbi forcën e “besimit” tonë, por mbi forcën e akullit mbi të cilin po qëndronim. Ne nuk jemi të shpëtuar nga forca e besimit tonë, por nga forca e Shpëtimtarit tonë.

Një Shteg i Hapur

Nëse dëshiron të kultivosh siguri dhe gëzim tek Perëndia, pyetja që duhet të bësh nuk është “Sa i fortë është besimi im?”, por “Sa i fortë është Shpëtimtari im?” A është gjaku i Jezus Krishtit i pasur dhe i fortë mjaftueshëm për të larë çdo mëkat dhe për të mbuluar çdo dobësi, dështim, dhe pamjaftueshmëri timen, nga kjo pikë deri në ditën kur të arrij në praninë e Perëndisë? Përgjigja e kësaj pyetjeje është “Po. Absolutisht. Pa asnjë dyshim”.

Romakëve 5:1-11

Paqe dhe ripajtim me Perëndinë 

1 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,

2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon durimin,

4 durimi përvojën dhe përvoja shpresën.

5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

6 Sepse, ndërsa ishin ende të dobët, Krishti vdiq në kohën e tij për të pabesët.

7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.

8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar nëpërmjet gjakut të tij, do të shpëtohemi nga zemërimi me anë të tij.

10 Sepse, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, aq më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.

11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

1Cila nga pyetjet e mëposhtme është më e vështirë për ty tani: A interesohet vërtet Perëndia për mua? Pse po më ndodh kjo? Si mund të jem i sigurt se do të arrij në parajsë?
2Pse mendon se Perëndia do të dëshironte që ti të ishe i sigurt për marrëdhënien tënde me Të?
3Në një shkallë nga 1 (aspak) në 10 (absolutisht), sa siguri ke ti se kur të vdesësh do të shkosh në parajsë? Prej nga rrjedh siguria jote ose mungesa e saj?
4Cili do të ishte efekti i besimit në vetë besimin tënd?
5Reago ndaj deklaratës: Ekziston vetëm një bazë e fortë sigurie: Ne jemi “të shfajësuar në gjakun e tij" (Romakëve 5:9).
Next Session

Details

SCRIPTURE Romakëve 5:1-11

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.