Rrugëtimi Image

Rrugëtimi

Rrugëtimi

Kryqëzimi

Luka 23:32-43

Nëse do të kishte pasur një kohë, kur mund të prisje që gjykimi i Perëndisë të binte nga qielli, ai do të ishte çasti i kryqëzimit të Jezusit. Perëndia mori natyrën tonë njerëzore dhe erdhi mes nesh në Jezu Krishtin. Ne e kryqëzuam Atë. Bota po shkonte drejt një përplasjeje me Perëndinë.

Ajo që ndodhi më pas, ishte vërtet e jashtëzakonshme. Ndërsa e gozhdonin në kryq, Jezusi tha: “Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë” (Luka 23:34). Nuk ra asnjë vetëtimë nga qielli, as ndonjë goditje e rrufeshme e gjykimit të Perëndisë. Ushtarët që e torturuan Jezusin, shkuan në shtëpi te familjet e tyre. Pilati u zgjua të nesërmen në mëngjes. Kajafa vazhdoi të ishte kryeprift.

Jezusi u lut dhe gjykimi i Perëndisë u përmbajt. Falja dhe mëshira u çliruan. Drita e shpresës po shkëlqente në mes të urrejtjes dhe dhunës më të tmerrshme.

TALLJE DHE PËRQESHJE

Një turmë u mblodh rreth kryqit të Jezusit për ta parë, teksa vuante. Ata e përqeshën Jezusin për pretendimin e Tij se ishte Biri i Perëndisë. “Nëse je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!” thanë ata. “Ai ka besuar në Perëndinë; Ai le ta shpëtojë tani në qoftë se e do me të vërtetë” (Mateu 27:40, 43).

Ushtarët u bënë pjesë e përqeshjes së Jezusit. Nëse Ai nuk mund të bënte dot asgjë për ta shpëtuar Veten nga vuajtjet e tmerrshme që po përjetonte, çfarë mund të bënte Ai për t’i shpëtuar njerëzit e tjerë?

Dy keqbërës që u kryqëzuan përkrah Jezusit, iu bashkuan fyerjeve kundër Tij (Mateu 27:38; Marku 15:32). Por më pas diçka ndryshoi.

Njëri nga keqbërësit pushoi së bërtituri. Një heshtje e thellë dukej sikur ia kaploi shpirtin, kur kuptoi pozicionin e tij të vërtetë. Po u afrohej çasteve të fundit të jetës së tij. Toka po zbehej dhe përjetësia dukej tej në horizont. Së shpejti ai do të qëndronte në praninë e Perëndisë dhe e kuptoi se ishte i papërgatitur.

“A s’ke frikë nga Perëndia?”, pyeti ai mikun e tij, që vazhdonte të fyente Jezusin. “Me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe” (Luka 23:40-41).

Keqbërësi pranoi përgjegjësinë e veprimeve të tij. Ai e kuptoi se “krahu i gjatë” i ligjit e kishte kapur dhe se ai po përballej me drejtësinë. Por ai gjithashtu pa se Jezusi po përjetonte një padrejtësi të madhe. Ai dinte mjaftueshëm për Perëndinë sa të besonte se diku përtej vdekjes Jezusit do të shpallej i drejtë.

NJË KËRKESË E GUXIMSHME 

I nxitur nga këto mendime, keqbërësi u kthye nga Jezusi. Mbi kryet e Jezusit ishte një mbishkrim që lexonte “MBRETI I JUDENJVE” (Mateu 27:37). Ishte e qartë se, nëse Jezusi do të sundonte një mbretëri, ajo nuk do të ishte e kësaj bote. Vetëm pak orë e ndanin nga vdekja. Por përtej vdekjes ekziston përjetësia, dhe ai realitet i mahnitshëm po pushtonte tashmë mendjen e keqbërësit.

“Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde” tha ai (Luka 23:42). Ai e dalloi se Jezusi kishte autoritetin e një mbreti, dhe besoi se Jezusi mund të ishte në gjendje ta ndihmonte.

Keqbërësi nuk ia kishte idenë se kur do të ndodhte kjo. Por ndoshta në përjetësi Jezusi do t’i kujtonte rrethanat e pazakonta të takimit të tyre. Dhe nëse Jezusi do ta mbante mend, ndoshta mund të kishte ndonjë fije shprese për të.

Kjo ishte një kërkesë e guximshme. Turma e kishte tallur Jezusin për deklaratën e Tij për t’i shpëtuar të tjerët. Por keqbërësi mendoi se Jezusi ishte i vetmi person që mund të ishte në gjendje ta ndihmonte. Prandaj ai u dallua nga turma dhe e vendosi shpresën e tij tek Jezusi.

NJË PREMTIM I MENJËHERSHËM

Përgjigjja e Krishtit ishte e menjëhershme. “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43).

Parajsë! Kjo ishte shumë më tepër sesa keqbërësi mund të kishte ëndërruar ndonjëherë. Parajsa ishte vendi ku do të përjetohej bekimi dhe prania e Perëndisë. Jezusi ishte gati të hynte në atë bekim. Ai do ta merrte me vete keqbërësin që besoi. Dhe ajo do të ndodhte “sot”!

Sa befasuese duhet të ketë qenë për keqbërësin, i cili shpresën më të madhe e kishte për t’u ndihmuar në një të ardhme të largët. Por Jezusi e bëri të qartë se vdekja nuk do ta çonte këtë njeri në një periudhë të gjatë pavetëdijeje apo në një proces përgatitjeje. Vdekja do ta çonte në vetë praninë e Perëndisë, dhe Jezusi premtoi se Ai do ta shpinte personalisht këtë njeri në parajsë. Papritmas ky njeri, për të cilin bota nuk kishte asnjë premtim, zbuloi se për shkak të Jezusit, ai ishte gati të hynte në gëzimin më të madh që një qenie njerëzore mund të njohë ndonjëherë.

NUK ËSHTË KURRË SHUMË VONË

Historia e keqbërësit që u shpëtua në orët e fundit të jetës së tij, na ndihmon të identifikojmë hapat e qartë që mund të hedhë çdo njeri për të ardhur te Jezusi:

  1. Keqbërësi pranoi gjendjen e tij mëkatare. Ai e kuptoi se kishte thyer Ligjin e Perëndisë. Ai nuk u justifikua dhe as iu shmang çështjes.
  2. Ai i kërkoi Jezusit që ta ndihmonte.
  3. Dhe Jezusi u përgjigj me një premtim të thjeshtë, të cilin keqbërësi e besoi. Ai u shpëtua nëpërmjet besimit në një Shpëtimtar të kryqëzuar.

Pavarësisht se çfarë ke bërë ose ke dështuar të bësh, edhe ti mund të vish te Jezusi në të njëjtën mënyrë. Prano gjendjen tënde mëkatare. Beso në Zotin Jezu Krisht. Kërkoji Atij të të shpëtojë. Kurrë nuk është tepër vonë për të ardhur tek Ai.

Pamja nga mali i katërt

E kemi përshkruar Kryqëzimin si një mal dhe jo si një luginë, sepse lavdia e Zotit Jezu Krisht u zbulua në kryq. Falja, hiri dhe mëshira u derdhën, teksa Jezusi u lut për torturuesit e Tij dhe e hapi parajsën për një kriminel të penduar, i cili nuk kishte asnjë shpresë tjetër.

Kemi ndjekur historinë e vuajtjes së Jezusit në duart e njerëzve si dhe shërbesën e Tij të dhembshurisë deri në kulmin e dhimbjes së Tij. Por historia ka edhe një dimension tjetër. Bibla e bën të qartë se, në vdekjen e Tij, Jezusi mbarti fajin dhe ndëshkimin për mëkatet tona. Për të kuptuar se çfarë do të thoshte kjo për Jezusin, tani duhet të eksplorojmë luginën më të thellë dhe më të errët në gjithë historinë e Biblës.

Luka 23:32-43

Kryqëzimi

32 Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë.
33 Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafkë,” aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.
34 Por Jezusi tha:“O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë.” Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short.
35 Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe krerët e përqeshnin bashkë me popullin, duke thënë: “Të tjerët i shpëtoi, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë.”
36 Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull,
37 dhe duke thënë: “Nëse ti je mbreti i Judenjve, shpëto veten.”
38 Por mbi të ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: “KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE”.
39 Por një nga keqberësit e kryqëzuar duke blasfemuar i tha: “Nëse ti je Krishti, shpëto veten tënde dhe ne.”
40 Por ai tjetri duke u përgjigjur e qortoi duke i thënë: “A s’ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim?
41 Dhe vërtet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe.”
42 Dhe i thoshte Jezusit: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.”
43 Dhe Jezusi i tha: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

Përdore këtë pyetje për t’u përfshirë më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.

1Si do ta përshkruaje dallimin mes dy keqbërësve, që u kryqëzuan përkrah Jezusit? Si na jep sot shpresë përgjigjja e Jezusit ndaj keqbërësit?
Next Session

Details

SCRIPTURE Luka 23:32-43

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.