ROMAKËVE 7:21-25 / 8:1-17
Kishin kaluar disa vite që kur Xhoni përdori për herë të parë drogë në një festë. Ai tha se nuk do e bënte më këtë, por zbuloi se nuk mund të ndalonte. Ai e kishte të vështirë të pranonte se ishte bërë vartës, por shokët e tij e dinin të vërtetën.
Pastaj, një ditë Xhoni u kap me drog në zotërim. Policia ngriti akuza kundrejt tij, dhe gjykata vendosi një gjobë të rëndë. Kishte një gjobë për të paguar, por Xhoni nuk kishte para. Pasi u mendua shumë për këtë, mamaja e tij e pagoi gjobën në emrin e tij, por më pas ajo pyeste veten nëse kishte bërë gjënë e duhur. “Kam frikë se duke paguar gjobën, thjesht po i jap atij mundësinë që të vazhdojë zakonin e tij shkatërrues,” tha ajo.
Ajo ka të drejtë. Xhoni ka krijuar një varësi të thellë ndaj drogës. Ajo ka pushtet mbi jetën e tij, dhe nëse ai do që të shpëtojë, “pushteti” i saj duhet të thyet. Nëse Xhoni do të kapërcejë fuqinë e varësisë së tij, ai do të ketë nevojë edhe për dëshirën dhe aftësinë për të thënë jo. Por Xhoni duket se nuk e ka dëshirën. Dhe, edhe nëse e ka, a e ka ai aftësinë për ta bërë këtë?
Tek Romakëve 8, Pali përshkruan një person i cili është armiqësor ndaj Perëndisë: “Sepse mendja e mishit është ‘armiqësi’ ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.” (Romakëve 8:7). Armiqësori nuk ka as dëshirën dhe as mundësinë për të ndjekur ligjin e Perëndisë.
Një herë e një kohë, Pali vetë ishte armiqësor. Ai drejtoi një persekutim të egër ndaj besimtarëve të Krishterë, “duke shfryrë ende kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit” (Veprat e Apostujve 9:1). Kjo është armiqësi!
Por ndërsa Pali po udhëtonte në rrugën për në Damask, Zoti i ringjallur i’u shfaq atij, dhe i tha, “Përse më përndjek?” (Veprat 9:3-5). Zemërimi i dhunshëm i Palit kundër të Krishterëve ishte në fakt reflektim i një zemërimi akoma më të egër në zemrën e tij, kundër Krishtit. Nuk është e nevojshme të kërkosh shumë larg për të gjetur Armiqësorin në shoqërinë tonë sot. Ai nxehet shumë shpejt kur përmendet publikisht emri i Perëndisë, dhe ai ofendohet jashtë mase kur përmendim faktin se ka një Perëndi, të cilit duhet t’i japim llogari.
Ti mund të kesh vënë re se shumë njerëz të sjellshëm dhe të respektuar janë armiqësorë kur bëhet fjalë për gjërat e Perëndisë. A ke vënë re se një bisedë mund të jetë shumë e sjellshme derisa përmendet emri i Perëndisë? Është sikur të shtypet një buton, dhe një armiqësi e thellë brënda shpirtit të tyre shfaqet.
Tek Romakëve 7, ne takohemi me një tjetër personazh, të cilin do e quajmë “I Pafuqishmi.” Ndryshimi i madh midis tij dhe Armiqësorit është se, ndërsa Armiqësori e urren ligjin e Perëndisë, I Pafuqishmi e do. “Sepse unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm” thotë ai (Romakëve 7:22).
Problemi për të Pafuqishmin është se, edhe pse ai e do ligjin e Perëndisë, ai nuk ka aftësinë t’i bindet. Ai thotë, “sepse dëshira ndodhet tek unë, por të bëj të mirën nuk e gjej” (7:18). I Pafuqishmi është një mister për veten e tij. Ai nuk bën atë që do të bëjë, dhe përfundon duke bërë atë që nuk kishte qëllim të bënte (7:15). Kjo mungesë fuqie e lë atë të ndihet totalisht i mjerë. “Oh, i mjeri njeri që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” (7:24).
Tek Romakëve 8 takohemi me personazhin e tretë, të cilin do e quajmë “Shpresuesi.” Ashtu si I Pafuqishmi, Shpresuesi do të jetojë në një mënyrë që i pëlqen Perëndisë. Ndryshimi i madh midis tyre qëndron tek aftësia.
Pali i thotë Shpresuesit se, nëse “i vrisni veprat e trupit, do të jetoni” (Romakëve 8:13), dhe kjo ishte pikërisht ajo që I Pafuqishmi nuk mund të bënte! Por Shpresuesi është në një pozicion krejt ndryshe! Ai ka dëshirën të luftojë kundër mëkatit në jetën e tij, por gjithashtu ka aftësinë të triumfojë, sepse Fryma e Perëndisë jeton në Të. Shpresuesi dhe I Pafuqishmi përballen me të njëjtat sfida. Ata ndiejnë fuqinë e të njëjtave tundime. Dallimi midis tyre nuk qëndron në betejë, por në rezultatet e arritura. I Pafuqishmi përballet me disfatën e pashmangshme: Shpresuesi, përballet me fitoren përfundimtare.
Kur Pearl Harbor u sulmua në 7 Dhjetor të 1941, Winston Churchill ishte në Checkers, fshati ku mund të qëndronin për t’u strehuar Kryeministrat Britanikë. Pasi dëgjoi lajmin, ai i telefoni Presidentit Roosevelt, i cili i tha, “Tani jemi të gjithë në të njëjtën varkë.”
Churchill mbajti shënim mendimet e tij, ndërsa shkoi në shtrat atë natë: “Asnjë Amerikan nuk do të mendojë keq për mua, nëse deklaroj se është gëzim i madh për mua të kemi Shtetet e Bashkuara në krahun tonë…Më në fund, ne kemi fituar. Po, pas Dunkirkut, pas rënies së Francës … pas shtatëmbëdhjetë muaj luftimesh të vetmuara dhe nëntëmbëdhjetë muajve të përgjegjësisë sime nën një stres të rëndë, ne e kemi fituar luftën. Anglia do të jetojë; Britania do të jetojë!
Sa kohë do të zgjasë lufta, ose në çfarë mënyre do të mbarojë, askush nuk e di, dhe as mua në këtë moment nuk më intereson…E gjithë pjesa tjetër ishte thjesht zbatimi i duhur i një force jashtëzakonisht të madhe… Shumë fatkeqësi, kosto e paimagjinueshme, dhe mundime qëndrojnë përpara, por nuk ka dyshim për fundin…Shkova në shtrat dhe fjeta gjumin e të shpëtuarve dhe mirënjohësve.”
Lufta do të zgjaste edhe për katër vite të tjera. Do të vazhdonte të ishte një luftë e hidhur, por edhe në dhjetor të 1941 Churchill mund të thoshte, “ne e kemi fituar luftën.” Rezultati i fitores ishte i sigurt. Churchill kishte qenë I Pafuqishëm. Por tani ai ishte Shpresues. Dallimi qëndronte në përfshirjen e një “force jashtëzakonisht të madhe”.
Problemi me të Pafuqishmin është se ai është i kufizuar nga vetë aftësitë e tij. Prandaj atij i duket e pamundur jeta e Krishterë. Tek Romakëve 7, I Pafuqishmi nuk thotë asgjë për Krishtin apo për Frymën. Ai flet vetëm për veten e tij dhe aftësitë e tij të kufizuara, të cilat janë të pamjaftueshme për të përmbushur ligjin e Perëndisë. Por nëse i përket Krishtit, Fryma e Shenjtë jeton në ty. Ti nuk je I Pafuqishëm, prandaj mos fol sikur të jesh i tillë. Perëndia të ka vendosur në një pozitë krejtësisht të re “në Krishtin”. Ti do të përballesh me të njëjtat beteja si më parë, por do të ketë një rezultat tjetër.
Ndoshta ti ndjen se ka një mëkat që është shumë i fortë për ty. Ti je lodhur duke e luftuar atë, dhe ndihesh i mundur. Shpesh kam pasur një bisedë me dikë që vjen për të folur me mua për një tundim që i duket i papërballueshëm. “Është shumë i fortë për mua,” thotë ai. “Jam i pafuqishëm për ta mposhtur atë.”
Atëherë unë i them, “Më lejo të të drejtoj tek Krishti.”
Ai më thotë, “Oh jo, pastor, unë kam disa vite që jam i Krishterë!”
“Po prit një minutë, atëherë. Nëse ti je i Krishterë, Fryma e Shenjtë jeton në ty. Si mund të thuash se je i pafuqishëm?”
Për një të Krishterë të thotë se “Jam i pafuqishëm”, do të thotë që ai ose ajo është duke përsëritur gënjeshtrat e djallit. Nëse je i pafuqishëm, eja tek Krishti. Por nëse ke ardhur tek Krishti, Fryma e Shenjtë banon në ty, ndaj mos i thuaj më vetes se je i pafuqishëm.
Me cilin nga tre miqtë tanë e identifikon veten më shumë? Armiqësorin, Të Pafuqishmin, apo Shpresuesin? Është e rëndësishme t’i përgjigjesh kësaj pyetje me kujdes, në mënyrë që të mund të dëgjosh se çfarë Perëndia ka për të të thënë.
Nëse je armiqësor, Perëndia po të ofron një amnisti. Ai të fton të ulësh armët e tua, dhe të jep mundësinë të pendohesh (Romakëve 2:4). Të pendohesh do të thotë të heqësh dorë nga rezistenca jote ndaj Perëndisë. Jezus Krishti erdhi në botë dhe u kryqëzua në mënyrë që ata që dikur ishin armiq të Perëndisë, të bëhen miqtë e Tij.
Perëndia e tregoi dashurinë e Tij ndaj nesh, ndërsa ne ishim akoma armiqësorë ndaj Tij (5:8). Ai të ka dashur gjatë të gjitha mundimeve të tua, rezistencës, dhe luftimeve kundër Tij. Ai të do akoma, madje edhe në armiqësinë tënde. Ti nuk ke asgjë për të humbur, por mund të fitosh gjithçka duke u kthyer tek Ai në pendesë.
Fjala e Perëndisë për të Pafuqishmin është krejt ndryshe. T’i thuash të pafuqishmit të pendohet nuk do ta ndihmojë atë. Ai tashmë dëshiron të bëjë atë që është e drejtë. Problemi i tij është se ai nuk ka fuqi. Kur I Pafuqishmi bërtet i dëshpëruar “Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?” Përgjigja e Perëndisë është, “Jezus Krishti” (Romakëve 7:24-25).
Eja tek Krishti me besim. Tregoji Atij që nuk mund ta jetosh këtë jetë pa Të. Tregoji atij se ke nevojë për fuqinë e Frymës së Tij të Shenjtë në mënyrë që të kesh aftësinë dhe dëshirën për të jetuar një jetë të re. Kërko, dhe do të marrësh. Perëndia do të të japë një emër të ri. Ti nuk do të jesh më I Pafuqishëm, ti do të jesh Shpresues.
Fjala e Perëndisë i thotë Shpresuesit t’i vrasë veprat e trupit me fuqinë e Frymës (shih Romakëve 8:13). Fillo një betejë të qëllimshme kundër mëkatit që ka mbetur në ty. Mëso të luftosh, dhe mos thuaj kurrë se je I Pafuqishëm. Fryma e Perëndisë është brenda teje. Krishti të ka vendosur në një pozicion ku mund të luftosh dhe fitosh.
A po e përdor siç duhet këtë forcë të fuqishme? A mund të identifikosh mëkate specifike, ndaj të cilave je duke bërë një sulm të qëllimshëm në këtë pikë të jetës tënde? A ke hartuar një strategji për të ndryshuar, duke e ditur që fuqia e Frymës të është dhënë për ta bërë të mundur këtë gjë?
Mos harro se armiku do të përpiqet të të ngatërrojë në lidhje me pozicionin tënd. Ai adhuron t’i thotë Shpresuesit se ai është në të vërtetë I Pafuqishëm. Shumë nga sukseset e tij më të mëdha vijnë nga kjo lloj propagande. Prandaj është e rëndësishme të identifikosh pozicionin tënd, dhe pastaj të ndjekësh udhëzimet e Perëndisë. Nëse je Armiqësor, pendohu; Dashuria e Perëndisë arrin deri tek ti. Nëse je I Pafuqishëm, eja; Krishti do të të çlirojë. Nëse je Shpresues, lufto; Fryma e Shenjtë është brenda teje.
Fuqia që ke varet krejtësisht nga pozicioni yt shpirtëror. Pa Krishtin, jeta e Krishterë është përtej fuqisë tënde. Por kur ti vjen tek Krishti me besim, Ai të jep Frymën e Tij, dhe kjo të vendos ty në një pozicion krejt tjetër.
Ti do të përballesh me shumë beteja, dhe do kesh shumë dështime ashtu si edhe fitore, por ti nuk je vetëm në këtë betejë. Fryma e Perëndisë është brenda teje, dhe Ai e bën jetën e Krishterë të mundshme. Jeta e Krishterë ka të bëjë mbi të gjitha me mënyrën se si e përdorim forcën jashtëzakonisht të madhe të Perëndisë. Kurrë mos thuaj se je i pafuqishëm kur Fryma e Perëndisë banon në ty.
21 Gjej, pra, këtë ligj, se kur unë dua të bëj të mirën, e keqja ndodhet në mua.
22 Sepse unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm,
23 por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën rob të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.
24 Oh, i mjeri njeri që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?
25 I faleminderit Perëndisë, me anë të Jezu Krishtit, Zotit tonë. Unë vetë, pra, me mendjen, i shërbej ligjit të Perëndisë, por, me mishin ligjit të mëkatit.
1 Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,
2 sepse ligji i Frymës së jetës në Krishtin Jezus më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.
3 Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e tij në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,
4 që të përmbushet kërkesa e drejtë e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.
5 Sepse ata, që jetojnë sipas mishit, e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që jetojnë sipas Frymës, në gjërat e Frymës.
6 Sepse mendja e mishit është vdekje, por mendja e Frymës është jetë dhe paqe.
7 Sepse mendja e mishit është armiqësi ndaj Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.
8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.
9 Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, nuk është i tij.
10 Dhe, nëse Krishti është në ju, trupi është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.
11 Por në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.
12 Prandaj, vëllezër, jemi debitorë jo të mishit, që të jetojmë sipas mishit,
13 sepse, po të jetoni sipas mishit, do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i vrisni veprat e trupit, do të jetoni.
14 Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë.
15 Sepse ju nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: ”Aba, o Atë!”.
16 Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë.
17 Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, si trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë.
Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.
Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.