Rrugëtimi Image

Rrugëtimi

Rrugëtimi

Dobësia

Veprat 9:1-22

Pas Rrëshajave, besimtarët e rinj caktuan shpejt katër përparësi: të mësonin nga mësimet e apostujve, të rriteshin në bashkësi, të thyenin bukën së bashku dhe të luteshin (Veprat 2:42).

Besimtarët e parë ishin të gjithë hebrenj, dhe në ditët e hershme ata takoheshin në oborret e tempullit dhe nëpër shtëpi. Angazhimi i tyre i thellë ndaj njëri-tjetrit u tregua kur shitën pasuritë dhe ua dhanë njerëzve në nevojë. Perëndia bëri shumë mrekulli përmes apostujve, dhe besimtarët gëzuan mbështetje të gjerë në të gjithë qytetin e Jerusalemit.

NJË MODEL PERSEKUTIMI 

Autoritetet e tempullit i shihnin ndryshe gjërat. Ata arrestuan Pjetrin dhe Gjonin dhe i sollën para Kajafës, i cili kishte marrë në pyetje Jezusin dhe e kishte dënuar. Këshilli qeverisës i porositi apostujt të mos flisnin apo jepnin mësim në emër të Jezusit. Pjetri dhe Gjoni u thanë se nuk mund të ndalonin së foluri për ato që kishin “parë dhe dëgjuar” (Veprat 4:20). Më pas, të gjithë apostujt u arrestuan. Dhe kur as kjo nuk i ndaloi, këshilli qeverisës vendosi që të rriheshin me kamxhik.

Ishte hera e parë që provonin atë që do të bëhej një model persekutimi. Ndërsa numri i besimtarëve vazhdoi të rritej, ata caktuan udhëheqës për të mbikëqyrur shërbesën, në mënyrë që apostujt të mund t’i përkushtoheshin lutjes dhe predikimit të Fjalës së Perëndisë (Veprat 6:2-4).

Stefani ishte i pari që u zgjodh për këtë punë, dhe u bë shënjestra e një grupi që donte të shkatërronte komunitetin e besimtarëve. Ai u arrestua dhe u gjykua me akuza të rreme (Veprat 6: 9-14), njësoj siç i ndodhi edhe Jezusit. Ai dha një mbrojtje të jashtëzakonshme për besimin e tij, por para se ta mbaronte, u tërhoq zvarrë jashtë qytetit dhe u vra me gurë (Veprat 7). Stefani u bë martiri i parë i krishterë mes shumë të tjerëve që dhanë jetën e tyre për t’i shërbyer Zotit Jezu Krisht.

Vdekja e Stefanit ishte fillimi i një vale persekutimi kundër besimtarëve të hershëm, të cilët lanë Jerusalemin dhe u shpërndanë (Veprat 8:1).

Një farise veçanërisht i zellshëm me emrin Saul ishte i vendosur t’i përndiqte. Me mbështetjen e kryepriftit, ai u nis t’i arrestonte. Qyteti i parë në shënjestrën e tij ishte Damasku.

APOSTULLI I JOHEBRENJVE 

Pikërisht në rrugën për në Damask ndërhyri Krishti në jetën e Saulit. Ai u verbua nga një dritë e fortë dhe dëgjoi një zë që e pyeti: “Saul, Saul, përse më përndjek?” (Veprat 9:4). Kjo përballje e drejtpërdrejtë me të ringjallurin Zotin Jezus ndryshoi gjithë drejtimin e jetës së tij, dhe armiku më i madh i kishës u bë përkrahësi i saj më i madh. Ne e njohim më mirë si apostullin Pal.

Pali ishte hebre, njësoj si pjesa më e madhe e besimtarëve të parë. Por Perëndia e dërgoi që ta çonte lajmin e mirë të Jezusit në botën e johebrenjve. Pikërisht përmes udhëtimeve misionare të Palit u mbollën kisha në të gjithë perandorinë romake.

Zoti i foli drejtpërdrejt Palit, ashtu siç u kishte folur profetëve në Dhiatën e Vjetër. Dhiata e Re përfshin trembëdhjetë letra të tij, duke filluar me librin e Romakëve, të cilin do ta shqyrtojmë në kapitullin tjetër.

NJOHËS I MIRË I VUAJTJES

Ndoshta mendon se një person që Perëndia e përdor në mënyrë kaq të veçantë dhe që është fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, duhet të ketë jetuar një jetë triumfesh të vazhdueshme, por Pali foli hapur për momentet e dobësisë së tij. Dëshmia e tij na jep mundësinë t’i hedhim një vështrim një prej luginave të thella të jetës së krishterë.

Pali i njihte mirë vuajtjet. Në pesë raste ai duroi tridhjetë e nëntë rrahje me kamzhik. Tri herë e rrahën me shkop. Një herë e qëlluan me gurë dhe tri herë iu mbyt anija (2 e Korintasve 11:24-25). Duke qenë vazhdimisht në lëvizje, Pali përballej me rreziqe kudo që shkonte. Ky njeri nuk ishte burracak.

Pali duroi diçka që ishte thellësisht e dhimbshme në jetën e tij, të cilën ai e përshkruan si “gjemb në mish” (2 e Korintasve 12:7). Nuk e dimë se ç’ishte, por duke njohur guximin e Palit, jemi të sigurt se nuk ishte një shqetësim i vogël.

Ai iu lut Perëndisë që ta lehtësonte nga ky problem, por Perëndia nuk ia dha atë që kërkoi. Përkundrazi, Ai i dha këtë premtim: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi” (2 e Korintasve 12:9). Shenja e natyrës së vërtetë frymërore nuk është se Perëndia i thotë po gjithçkaje që ti kërkon, por që ti të ecësh me Të edhe kur Ai thotë jo.

TRYSNITË E SHËRBESËS

Pali nuk përjetoi dobësi sepse i mungonte guximi apo qëndrueshmëria, por sepse Perëndia e kishte vënë në situata që e shtynin përtej kufijve të rehatisë së tij. Ai e dinte si ishte dërrmimi i plotë dhe i padurueshëm, dhe në një moment ai “u dëshpërua edhe për jetën” (2 e Korintasve 1:8; shih gjithashtu 2 e Korintasve 11:28-29).

Ata që vendosin ta japin veten për shërbesën e krishterë, shpejt do të përjetojnë dobësinë që Pali njihte. Teksa ndjek Krishtin, do të përjetosh kohë dekurajimi dhe madje rraskapitje. Do të përballesh me pyetje pa përgjigje dhe me probleme që duken pa zgjidhje.

Por kjo dobësi nuk është diçka për t’u pasur frikë apo turp. Pali i pa përvojat e tij të dobësisë si mundësi, sepse aty qëndronte fuqia e Krishtit mbi të (2 e Korintasve 12:9). Dhe për ty do të jetë njësoj.

Në shërbesën e krishterë, forca që njihet si forcë, është në të vërtetë dobësi, dhe dobësia që njihet si dobësi, është forcë në dorën e Perëndisë. Kjo është arsyeja pse Pali tha: “Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm ” (2 e Korintasve 12:10).

Pamja e luginës së parë

Kurrë mos mendo se kur ndihesh i dobët, je jashtë vullnetit të Perëndisë. Nëse pret derisa të ndihesh i sigurt para se të ecësh përpara në atë që Perëndia po të thërret të bësh, mund të mos e bësh kurrë.

Jezusi nuk jetoi brenda kufijve të sigurt e të kujdesshëm. Kur Ai thotë: “Më Ndiq”, Ai na thërret përtej vetes dhe na drejton jashtë zonave tona të rehatisë. Një person që njeh vetëm forcën dhe jo dobësinë e tij, nuk ka vajtur larg me ndjekjen e tij.

Perëndia shpesh na vë në situata ku ne e dimë se jemi jashtë kapacitetit tonë, në mënyrë që të mësojmë të varemi prej Tij. Kur përjeton dobësi, fuqia e Krishtit do të qëndrojë mbi ty. Dhe do të jetë e qartë se arritja jote do të ketë ardhur nga Perëndia.

Veprat 9:1-22

Kthimi i Saulit në rrugën për Damask 

1 Por Sauli, duke shfryrë ende kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,

2 dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.

3 Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

4 Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?.”

5 Dhe ai tha: “Kush je, Zot?.” Dhe Zoti tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.”

6 Dhe ai, duke u dridhur dhe i shtangur, tha: “Zot, çfarë do ti të bëj unë?.” Dhe Zoti i tha atij: “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet çfarë duhet të bësh.”

7 Dhe burrat, që udhëtonin me të mbetën pa gojë, sepse dëgjonin zërin, por nuk shikonin njeri.

8 Dhe Sauli u ngrit nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

9 Dhe mbeti tri ditë nuk shihte dhe as hëngri as piu.

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, dhe Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një nga Tarsi me emër Saul, se ja, ai po lutet;

12 dhe ka parë në një vegim një burrë, me emër Anania, që hyri dhe duke i vuri duart që të shikonte përsëri.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe këtu ka autoritet nga kryepriftërinjtë, të lidhë të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për të mbajtur emrin tim përpara kombeve dhe mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij se sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart mbi të, tha: “Saul vëlla, Zoti më dërgoi, Jezusi, që të është shfaqur në rrugën nga erdhe, që të shikosh përsëri dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Dhe menjëherë i ra nga sytë si luspa, dhe menjëherë i erdhi drita e syve; dhe si u ngrit, u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u forcua. Dhe Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga, se ai është Biri i Perëndisë.

21 Dhe të gjithë ata, që e dëgjonin, çuditeshin dhe thonin: “A nuk është ky ai që në Jeruzalem shkatërroi të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër, dhe ka ardhur këtu me synim që t’i çojë të lidhur te kryepriftërinjtë?.”

22 Por Sauli forcohej më shumë dhe i hutonte judenjtë që banonin në Damask, duke ua vërtetuar se Jezusi është Krishti.

Përdore këtë pyetje për t’u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth saj me një person tjetër, ose përdore atë si një pyetje personale reflektimi.

1Mendo për një situatë me të cilën je përballur (ose je duke u përballur tani) që të ka bërë të ndihesh plotësisht i dërrmuar. Çfarë ke parë se Perëndia po bën në jetën tënde përmes kësaj përvoje dobësie?
Next Session

Details

SCRIPTURE Veprat 9:1-22

Next

Fuqia

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.