Ngjita Image

Ngjita

Ngjita

Zemërim

Romakëve 1:16-32

Në udhëtimin tonë përgjatë historisë së Biblës ne kemi parë në mënyrë të përsëritur se Perëndia është dashuri, dhe kjo do të thotë që Perëndia është plotësisht i përkushtuar për të kërkuar të mirën e gjithçkaje që Ai ka krijuar. Bibla na tregon gjithashtu se Perëndia është i shenjtë. Kjo do të thotë që Perëndia është absolutisht kundër çdo gjëje që do të shkatërronte objektet e dashurisë së Tij. Ti nuk mund ta duash një person, pa urryer në të njëjtën kohë atë që mund ta shkatërronte atë.

Nuk do ta harroj kurrë kur isha me një çift, ndërsa ata po kujdeseshin për djalin e tyre i cili po vdiste nga kanceri. Një mbrëmje, nëna e djalit të vogël më tha, “E urrej këtë kancer.” Ajo e tha këtë tërë vrer, dhe kjo është e kuptueshme. Kanceri po shkatërronte djalin e saj, dhe ajo e urrente atë që po shkatërronte objektin e dashurisë së saj.

Dashuria dhe urrejtja shpesh gjenden bashkë si partnerë të natyrshëm në Bibël: “Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës” (Romakëve 12:9). Këto janë të dyja faqet e së njëjtës monedhë. Nëse ne nuk e urrejmë atë që është e ligë, nuk e duam atë që është e mirë. E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca. Dashuria e vërtetë urren gjithçka që shkatërron atë që është objekti i saj i dashurisë.

Perëndia është dashuri dhe Ai është i shenjtë. Ai është gjithashtu sovran. Kjo do të thotë se Ai është absolutisht në kontroll të gjithçkaje. Nuk ka asnjë vend ku Ai nuk është i pranishëm, asnjë detyrë që Ai nuk mund ta realizojë, dhe asnjë leje që Ai ka nevojë të kërkojë.

Nëna, të cilës po i vdiste djali nga kanceri, ishte e pamëshirshme në kundërshtimin e asaj që po shkatërronte të birin, por ajo nuk kishte fuqi për ta mposhtur atë. Perëndia është i pamëshirshëm në kundërshtimin e Tij ndaj së keqes, dhe Ai është në gjendje të mposhtë fuqinë e saj shkatërruese. Ai ka mundësi t’i shpëtojë njerëzit që Ai do nga mëkati që i shkatërron, dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalojë dashurinë e Tij.

Çfarë e Zemëron Perëndinë?

Zemërimi i Perëndisë është qëndrimi i Tij i vendosur se ligësia nuk do triumfojë, dhe ne duhet ta falenderojmë Perëndinë për këtë. Çfarë shprese do të kishim ne për paqe në një botë të terrorizuar, nëse e vetmja gjë që bënte Perëndia do ishte të shikonte me një buzëqeshje të dobët apo ngrysje mosaprovimi? Shpresa për një botë, historia e së cilës është thurur me ligësi dhe dhunë, gjendet në një Perëndi, i cili e kundërshton gjithë ligësinë pa pushim dhe ka fuqinë ta shkatërrojë atë.

Perëndia është dashuri, dhe zemërimi nuk është në natyrën e Tij. Nëse nuk do të kishte mëkat në botë, nuk do të kishte zemërim në Perëndinë. Kështu që Bibla kurrë nuk thotë që Perëndia është zemërim. Na tregon se Ai është i ngadalshëm në zemërim (Psalmi 103:8), dhe historia e Biblës tregon durimin e Tij të madh ndaj një bote të keqe. Por Perëndia mund të provokohet deri në zemërim, dhe zemërimi i Tij provokohet nga paperëndishmëria dhe padrejtësia.

“Zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Romakëve 1:18). Një njeri i paperëndishëm është dikush që nuk do të ketë asnjë lidhje me Perëndinë, dhe një njeri i padrejtë është dikush që refuzon t’i bindet Perëndisë. Personi i paperëndishëm dhe i padrejtë është dikush që i thotë Perëndisë, “Unë nuk dua të të njoh Ty, dhe nuk do të të bindem Ty.”

Me qëllim që të ruajë këtë qëndrim ndaj Perëndisë, një person duhet të “mbysë të vërtetën” që Perëndia ka zbuluar për Veten e Tij në bukurinë dhe madhështinë e krijimit. Imagjino teksa përpiqesh të bllokosh një burim të fuqishëm uji. Ty të duhet të vësh gjithë peshën e trupit tënd mbi këtë burim, për ta mbajtur të bllokuar, dhe kjo kërkon energji. Nëse pushon për një moment, burimi do shpërthejë përsëri. Në të njëjtën mënyrë, duhet energji t’i rezistosh vazhdimisht Perëndisë. Ata që nuk duan të kenë të bëjnë fare me Perëndinë, duhet të punojnë shumë për ta shmangur Atë, sepse zbulesa e Tij është kudo rreth nesh. Ai e ka bërë fuqinë e Tij hyjnore, dhe lavdinë e Tij të dukshme në gjithë shkëlqimin e krijimit (1:20).

Perëndia i Lejon Njerëzit të Shkojnë 

“Zemërimi i Perëndisë” nuk është zemërim çfarëdo, dhe ne kurrë nuk duhet të mendojmë për Perëndinë sikur Ai humbet kontrollin, apo shpërthen në akte nervozizmi. Zemërimi i Perëndisë shprehet në atë që Ai i lë njerëzit të bëjnë atë që zgjedhin: “Prandaj edhe Perëndia i dorëzoi në papastërti në epshet e zemrave të tyre… Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta…Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur” (Romakëve 1:24-28).

Kur një individ ose një komunitet thotë, “Ne nuk e duam Perëndinë dhe nuk do i bindemi Perëndisë,” Perëndia e shpreh zemërimin e Tij duke u mënjanuar dhe duke i lejuar ata të jetojnë me realitetin e plotë të zgjedhjes që bëjnë. Imagjino një grua që po mban një vazo prej kristali. Nëse ajo “heq dorë” nga ajo, graviteti do bëjë punën e vet. Do bjerë si një gur, dhe do të thyhet. Kjo ndodh edhe kur Perëndia “heq dorë” nga të paperëndishmit dhe të padrejtët.

Nëse sheh papastërti ose pasione të pandershme në zemrën tënde, mund të pyesësh veten: “A ka hequr dorë Perëndia nga unë? Dhe nëse Perëndia e ka bërë këtë, a do të thotë kjo se nuk ka më shpresë për mua? ” Askush nuk është shumë larg shpresës. Kjo është arsyeja pse Pali thotë: “Unë nuk kam turp për ungjillin”, (1:16). Ungjilli është mënyra se si Perëndia i shpëton njerëzit që janë mbytur nga fuqia e mëkateve të tyre.

Grumbullim i Zemërimit 

Zemërimi i Perëndisë po zbulohet që tani, por vetëm pjesërisht. Historia është e mbushur me ligësi për të cilat kurrë nuk është vendosur drejtësi, apo gënjeshtra të cilat kurrë nuk kanë dalë në dritë. Por nuk do jetë gjithmonë kështu. Perëndia tregon durim të madh ndaj nesh, dhe qëllimi i durimit dhe butësisë të Tij është që ne të vijmë tek Ai në pendesë.

“Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij, duke mos ditur që mirësia e Perëndisë të prin në pendim? Por, sipas ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit dhe të zbulesës së gjykimit të drejtë të Perëndisë” (Romakëve 2:4-5).

Ka shumë gjëra që ne mund të duam të mbledhim për vete, por zemërimi nuk është një prej tyre. Zoti do të shkatërrojë gjithçka që na shkatërron, dhe e vetmja shpresë është që të ekzistojë një ndarje midis nesh dhe mëkatit që përndryshe do të na shkatërronte. Ne kemi parë se zemërimi i Perëndisë po zbulohet pjesërisht sot dhe po grumbullohet për ditën kur gjykimi i Tij i drejtë do të zbulohet kundrejt atyre që refuzojnë të pendohen. Por Bibla flet për një rast të tretë kur zemërimi i Perëndisë u zbulua.

Zemërimi i Perëndisë në Kryq

Perëndia e prezantoi Jezusin si Personin mbi të cilin zemërimi i Tij u derdh. Siç do ta shohim në mësimin e rradhës, ky është kuptimi i fjalës “pajtim”. Pali flet për “shpengimin që është në Jezus Krishtin, të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore, nëpërmjet besimit në gjakun e tij” (Romakëve 3:25). Armiqësia e Perëndisë kundrejt gjithçkaje që na shkatërron u derdh mbi Zotin Jezus Krisht kur Ai vdiq mbi kryq.

Kur zemërimi i Perëndisë kundrejt mëkatit u derdh mbi Jezusin, u shuajt për të gjithë ata që besojnë tek Ai. Perëndia thotë, “Tani, pas pak, do të derdh mbi ty tërbimin tim dhe do ta shfryj mbi ty zemërimin tim” (Ezekieli 7:8). I harxhuar do të thotë “i mbaruar”, dhe kjo na çon në thelbin e asaj që ndodhi mbi kryq. Zemërimi i Perëndisë kundrejt mëkatit u derdh ose u harxhua mbi Jezusin kur Ai u bë “pajtimi” për mëkatet tona.

Perëndia gjeti një mënyrë për të ndarë mëkatet që Ai urren nga njerëzit që Ai do, duke i vendosur këto mëkate mbi Jezusin. “Sepse atë, që nuk njihte mëkat, e bëri mëkat për ne, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21). Perëndia “nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për ne të gjithë” (Romakëve 8:32). Kushtoi vëmendje fjalës: “e dha”! Perëndia hoqi dorën nga Biri i Tij. Krishti i’u dorëzua ferrit dhe Ai thirri me zë të lartë, “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46).

Krishti, objekt i dashurisë së Atit, u bë objekt i zemërimit të Tij, sepse ne, objektet e zemërimit të Tij, ishim gjithashtu objekte të dashurisë së Tij. E mban mënd gruan që po mbante vazon e kristalit? Kur ajo e lëshon dorën e djathtë, duket sikur vazoja do copëtohet patjetër. Por nëse ajo e kap me dorën e majtë, vazoja do shpëtohet.

Këtë bën Perëndia për ne në Jezus Krishtin. Ai na shpëton nga mëkatet, që në të kundërt do na drejtonin në shkatërrim. Të jesh nën gjykimin e Perëndisë dhe i përjashtuar nga prania e Tij përgjithmonë, do të ishte katastrofa përfundimtare. Asnjë vuajtje tjetër nuk mund të krahasohet kurrë me këtë. Atëherë, pse duhet të jetosh me zemërimin që u mblodh për ty, kur kjo u shpenzua mbi Jezusin? Pse do t’i besoje përpjekjes tënde të dobët për drejtësi, kur Perëndia është gati të llogarisë drejtësinë e Jezusit si tënden? Beso në Zotin Jezus Krisht. Kërkoji Atij të ketë mëshirë për ty dhe të të bëjë një person të ri dhe tërësisht ndryshe.

Një Shteg i Hapur

Zemërimi i Perëndisë është përgjigja e shenjtërisë dhe dashurisë së Tij ndaj ligësisë. Nuk është në natyrën e Perëndisë të jetë i zemëruar, por zemërimi i Tij provokohet nga paperëndishmëria dhe padrejtësia e njerëzve që mbysin të vërtetën që Perëndia ka zbuluar shumë qartë. Perëndia shpreh zemërimin e Tij duke i dorëzuar njerëzit në zgjedhjet e tyre, me rezultatin se ata bëhen pre e pushtetit të epsheve mëkatare, pasioneve të pandershme, dhe e një mëndje të çoroditur.

Por Perëndia dërgoi Birin e Tij për të na shpëtuar ne nga zemërimi i Tij. Kur Jezusi vdiq mbi kryq, Ai mori mbi vete zemërimin e Perëndisë për ne. “Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1).

Romakëve 1:16-32

Drejtësinë për besimin: subjekti i letrës

16 Sepse unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë judeun e pastaj grekun.

17 Sepse, drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të prej besimit në besim siç është shkruar: ”I drejti do të jetojë prej besimit”.

Idhujtaria dhe shthurja e kombeve
18 Sepse, zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,

19 sepse, ajo që mund të njihet për Perëndinë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.

20 Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm.

21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim, u errësua.

22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,

23 dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të prishshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.

24 Prandaj edhe Perëndia i dorëzoi në papastërti në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,

25 që e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.

26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasione të turpshme, sepse edhe femrat e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës.

27 Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme meshkuj me meshkuj, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për përdaljen e tyre.

28 Dhe, meqenëse nuk e quajtën me vend të njohin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme,

29 duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, ligësi, lakmi, mbrapshti; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi,

30 thashethemexhinj, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, mendjemëdhenj, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,

31 të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm.

32 Ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e drejtë të Perëndisë, sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.

Përdori këto pyetje për t'u angazhuar më thellë me Fjalën e Perëndisë. Diskuto rreth tyre me një person tjetër, ose përdori ato si pyetje personale reflektimi.

1Kur ke përjetuar në jetën tënde dashuri ndaj dikujt dhe në të njëjtën kohë urrejtje ndaj diçkaje që po i shkatërronte ata?
2A e ke të vështirë të besosh se Perëndia mund të zemërohet? Pse ose pse jo?
3Si shprehet zemërimi i Perëndisë në botë sot, sipas Biblës?
4Si do t'i përgjigjeshe një personi që thotë: "Perëndia ka hequr dorë nga unë"?
5“Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Romakëve 8:1). Si do t’i përgjigjeshe kësaj të vërtete të mahnitshme?
Next Session

Details

SCRIPTURE Romakëve 1:16-32

Take the First Step to Open Your Bible

Join 35,000+ people who get ‘Open Today’. Every Wednesday you’ll get resources designed to inspire, encourage, and challenge you in opening your Bible.

This field is for validation purposes and should be left unchanged.